
TIRANË- 14-vjeçari Luis Meçe lirohet pas 12 ditësh nga spitali i Traumës, atje ku edhe po kurohej prej plagosjes së tij 4 herë me thikë në ngjarjen që ndodhi pranë shkollës "Fan Noli", ku mbeti i vrarë shoku i tij, Martin Cani. Sipas spitalit, i mituri është në gjendje stabël dhe tashmë mund të kurohet jashtë spitalit, ndërsa familja po kërkon që ta transferojë jashtë shtetit. Më shumë detaje për gjendjen e tij shëndetësore, ka dhënë për ZËRI-n, babai i Luis Meçës, Fiqiri Meçja. Mbrëmë nga shtrati i spitalit, Luisi dha dëshminë e tij të fundit para kamerave duke u shprehur se nuk kishte asnjë njohje me Mario Përlleshin, i cili aktualisht dyshohet se është autori i ngjarjes. I pyetur edhe njëherë nga "TopChannel" nëse kishte një autor të dytë në ngjarje, i mituri ka zgjedhur që të mos flasë më.
Gazetari: Ti je personi kryesor që ka ndikuar në zbardhjen e ngjarjes. Ju keni thënë që ka qenë një autor i dytë apo jo, në momentin e ngjarjes? Mund të na e përshkruash se çfarë ndodhi?
I mituri L.M: Nuk besoj se do flas më tepër për këtë sepse deklaratën e kam dhënë aty ku duhet….por se di a më lejohet apo jo.
Gazetari: Me Marion keni pasur njohje të mëparshme?
I mituri L.M: Jo.
Gazetari: Ti ishe thjesht në ndihmë të Martinit?
I mituri L.M: Po isha thjesht në mbrojtje të Martinit.
Gazetari: Keni thënë se kanë qenë dy persona me thika në vendngjarje. I qëndron këtij versioni?
I mituri L.M: Po unë i qëndroj akoma deklaratës që kam dhënë deri në fund.
Gazetari: Pra ti ke parë dy armë…dy thika të ndryshme në vendngjarje dhe dy persona që i kanë mbajtur.
I mituri L.M: Po.
Gazetari: Po mbas mbarimit të sherrit, çfarë ka ndodhur? E mban mend si jeni shpërndarë?
I mituri L.M: Mua më ndihmoi kushëriri, Marsidi. Ka qenë tek 9 Katëshet dhe pastaj s’mbaj mend gjë se kam qenë në gjendje të fikti.
Bazuar me këtë dëshmi, në emisionin "Top Story", zëvendësdrejtor i Krimit në Tiranë, Erion Ismaili dha më shumë detaje në lidhje me sherrin mes viktimës dhe të miturit.
“Thika që është postuar është tjetër. Nuk është ajo. Nga ekzaminimi i thikës ka mbetje të gjakut, po bëhen ende ekzaminime dhe së shpejti do dalim në një përfundim. Ajo çfarë ne themi në komunikatën e policisë është e vërtetë. Procesi hetimor nuk ka mbaruar, vazhdon. Është spekuluar,"- tha ai.
Po ashtu, Ismaili tha se Policia posedon pamje të konfliktit, por jo të momentit final ku janë përdorur edhe thikat. Megjithatë duke u bazuar nga pamjet e tjera, pretendon se momenti i konfrontimit mund të ketë zgjatur jo më shumë se 10 sekonda.
“Kemi dy episode, më datë 15 ku jashtë ambienteve të shkollës kemi pasur një debat mes viktimës dhe autorit. Pas këtij episodi ka pasur një komunikim në aplikacionin Snap Chat, ku duket se janë sqaruar, por kanë lënë një takim të hënën pas mësimit. Episodi i dytë i ka ndodhur në ambientet shkollës. Më pas vijmë te ngjarja, që është rreth orës 13:00, 18 tetor. Viktima dhe personat kanë qenë në mbarim të procesit mësimor. Janë bashkuar 200 metra larg shkollës, duke evidentuar problematikën, kanë përshkuar 40 metra nga vendi i ngjarjes. Në këtë vendngjarje kemi evidentuar 9 nxënës shkolle, 6 prej tyre janë në krahun e viktimës. Në krahun e autorit është autori dhe një nxënës tjetër. Janë identifikuar këta persona, janë pyetur dhe ripyetur. 3 prej tyre nuk janë të shkollës “Fan Noli”, janë nga krahu i viktimës. Kemi një dinamikë të qartë të ngjarjes. Që nga momenti i sherrit… momenti i goditjes është në disa sekonda. Debati dhe momenti i konfrontimit mund të jetë 10 sekonda. Nuk e kemi të filmuar këtë. Kemi video dhe gjatë momentit. Nga ana e policisë janë kryer një sërë veprimesh. Jemi deri tek një person, hetimi vazhdon. Nisur nga veprimet e policisë, dua të siguroj që Policia, grupi hetimor që është ngritur për të hetuar ngjarjen që nga dita që ka ndodhur ngjarja dhe deri sot ka punuar orar pa orar, për të zbardhur dhe thënë të vërtetën, që të vijë një ditë që të jemi para këtyre fakteve. Së dyti lidhur me ngjarjen edhe për opinion publik ka dy episode. Ka pamje filmike të vendit të ngjarjes, jemi duke shqyrtuar edhe pamje të tjera, ka një panoramë të qartë, nuk vjen vetëm nga pjesa e pamjeve filmike, kemi pyetur në momentin e ngjarjes, kemi ripyetur sërish personazhet nëse kemi të bëjmë me të njëjtat thënie,”- u shpreh ai.
Ndërsa sipas avokatit të familjes së 14-vjeçarit Martin Cani, Redi Ramaj pretendon se ka paqartësi në lidhje me numrin e autorëve të përfshirë në incident. Sipas tij, nga adoleshentët e marrë në pyetje, po ashtu pretendohet se viktima është goditur edhe nga një person tjetër përveç autorit të shpallur deri tani. Por këtë version e mohon Policia e Shtetit.
“Familjarët e të ndjerit kërkojnë drejtësi që në ditën e parë. Nga organet shtetërore nuk kemi pasur transparencë të plotë për ngjarjen. Është një ngjarje e rëndë që nuk duhet të ishte zbardhur vetëm për familjarët e Martin Canit, por për gjithë shoqërinë, e cila kërkon drejtësi. Shpresoj dhe besoj se policia do bëjnë detyrën e tyre. Pretendimi i familjarëve është që nuk ka transparencë dhe ka kontradiktë në deklaratat e policisë. Fillohet me 8 autorë dhe pastaj dalin 3. Vetë deklarimet e të plagosurit, fëmijës tjetër që tha se u godit edhe nga një person tjetër veç autorit duhet të sqarohen. I plagosuri, Luisi ia ka thënë policisë që ditën e parë se është goditur nga dy persona, autorë. Familjarët e Martinit kanë kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë. Prokuroria e cila drejton hetimet duhet të orientojë mekanizmin hetimor duke përfshirë dëshmi, prova shkencore, aktet e ekspertimit të na vendosen në dispozicion se si ndodhi ngjarja dhe si u vra Martini. Pamjet filmike nuk janë parë nga familjarët. Ka dëshmitarë që thonë se nuk ka vetëm konflikt vetëm në datën 18, por ka konflikt edhe ditën e premte ku është përfshirë edhe një rritur. Duhet të merren në pyetje. A ka patur apo jo të përfshirë në konflikt persona të rritur. Familjet janë të shqetësuara se në ambientet e shkollës dhe përreth qarkullojnë fëmijë me thika. Zbardhja e kësaj çështjeje do t’i shërbente të gjithë fëmijëve që janë në shkollat shqiptare,”- tha ai.
Ndërkohë ngjarja vazhdon të ketë impakt të madh në publik, aktivistë dhe qytetarë kanë parlajmëruar protestën e radhës. Tubimi i radhës është caktuar, të martën, më 3 dhjetor ku sërish do të ketë një marshim nga shkolla "Fan Noli" tek Ministria e Arsimit.
Kërkesat janë të njëjta, rritja e sigurisë në shkolla dhe dorëheqja e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu. Por kjo e fundit, edhe pse prej më shumë se 2 javësh i kërkohet reagim ka vendosur vetëm që të nisë një kontroll për mënyrën sesi është operuar brenda shkollës në momentin që është mësuar konflikti mes Canit dhe Përlleshit.
Çfarë dihet deri tani për vrasjen e Martin Canit?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe sot ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Tashmë, ai është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI