
TIRANË- Një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza është evakuuar në vendin tonë. Transferimi i të miturit është bërë gjatë mbrëmjes së djeshme, në mënyrë që 1-vjeçari të merrte një trajtim më të specializuar. Lajmi është bërë i ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri, ku thekson se babai, vëllai dhe motra e vogëlushit janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në zonë e Babrrusë në kryeqytet.
Ndërsa nga fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar "Nënë Tereza".
Njoftim nga OBSH - Shqipëri:
Mbrëmjen e kaluar u krye evakuimi mjekësor për ofrimin e kujdesit kritik në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza. Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar "Nënë Tereza", ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës. Një falenderim i madh për Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e kësaj përpjekjeje humanitare. Mirënjohje Albana Koçiut, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Skënder Bratajt, kreu i Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe zyrtarëve nga Ministria e Brendshme, për kontributet e tyre thelbësore. OBSH së bashku me partnerët mbështet koordinimin dhe fuqizimin e një mekanizmi standard, transparent të evakuimeve mjekësore. Në aeroport, së bashku me zyrtarë të tjerë, për të pritur familjen ishte i pranishëm edhe Gazmend Bejtja, Oficer i ngarkuar i OBSH në Shqipëri. Angazhimi i Shqipërisë për të mbështetur ata në nevojë është një shembull i rëndësishëm solidariteti. Meqë shumë pacientë nga Gaza ende kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare mbeten vendimtare./ZËRI