Aktualitet

Lirohet nesër nga burgu Jurgis Çyrbja! Ish-deputeti kërkoi sot, GJKKO: Ke edhe disa orë

Sipas avokatit, Çyrbja duhet të lirohej sot, por gjykata ka thënë se i kanë mbetur edhe disa orë.

F.I
Lirohet nesër nga burgu Jurgis Çyrbja! Ish-deputeti kërkoi sot,
Jurgis Çyrbja

TIRANË-Ish-deputeti socialist Jyrgis Çyrbja lirohet nesër nga burgu! Çyrbja, i dënuar me tre vite burg, kërkoi sot lirim pas përfundimit të dënimit, por kërkesa e tij është rrëzuar nga Apeli i GJKKO-së. Vendimi është shpallur nga gjyqtarët Daniela Shirka, Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj. Sipas avokatit, Çyrbja duhet të lirohej sot, por gjykata ka thënë se i kanë mbetur edhe disa orë.

VENDIMI I GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 73 akti, datë 18.02.2026 regjistrimi, mbi kërkesën e të pandehurit J.Ç, me objekt: “Shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr. 126, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024 të kësaj gjykate, për shkak të përfundimit të dënimit të dhënë me vendimin nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si vijon: - Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit J.Ç. U shpall në Tiranë, sot më datë 20.02.2026.

Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, u arrestua me urdhër të SPAK mbrëmjen e 20 tetorit 2024. Bashkë me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. SPAK përfundoi hetimet më 15 korrik 2025 dhe dërgoi për gjykim ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin. Tre të pandehurit akuzohen për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje. Ish-deputeti sipas hetimit ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë. Hajri rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas hetimit, ka rezultuar e provuar se Jurgis Çyrbja, Altin Hajri dhe Ahmet Masha kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale përmes komunikimeve në “Sky ECC” dhe “Matrix”.

Janë faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 Maj 2020 deri më 8 Mars 2021. Të akuzuarit janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, deklaronte SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB