TIRANË-GJKKO ka konfirmuar masat e sigurisë për anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës. Grupi trafikoi 6 ton drogë nga Amerika Latine drejt Europës. Gjykata ka lënë në fuqi masën arrest me burg për dy vëllezërit biznesmenë, Klevis dhe Artur Hoxhosmani, Ermir Nderaj, si dhe iu ka komunikuar masën në burg, Erion Alibejt dhe Plarent Dervishajt.
Ndërkohë Gjykata e Posaçme ka liruar Ilir Lloshin, pasi u konstatua se arrestimi i tij ishte bërë gabimisht për shkak të ngjashmërisë së gjeneraliteteve dhe vendbanimit me një person tjetër të dyshuar. Ballafaqimi me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Erion Alibej, si dhe verifikimi i fotografive, konfirmuan se ai nuk është personi i përfshirë në aktivitetin e dyshuar kriminal.
Në seancën gjyqësore, vetë Lloshi ka deklaruar: “Nuk kam lidhje me këto punë, nuk kam dalë asnjëherë jashtë shtetit.”
Kush është Ilir Lloshi?
Referuar dëshmisë së Erjon Alibejt, Ilir Lloshi njihje me nofkën "Liçja". Ai dyshohet se ishte edhe anëtari i grupit të Çopjave. Teksa tregonte lidhjen e të vëllait me Çopajt në Angli, Alibej zbuloi disa përplasje, ku mes tyre edhe se si kishte shpëtuar Lloshin gjatë kohës që ishte rrahur për shkak të mallit të grabitur. Sipas asaj që dëshmonte Alibej, mësohet se Ilir Lloshi ishte dërguar tek ortaku anglez i familjes Çopja si personi që ka patur sasinë e mallit por më pas ai e humbi.
Burime nga seanca me dyer të mbyllura bëjnë me dije se vëllezërit Hoxhosmani kanë mohuar përfshirjen në rrjetin Sky ECC, ndërsa Ermir Ndrejaj ka kërkuar masë më të butë sigurie për shkak të një sëmundjeje të rëndë që e prek. Ndërkohë Plarent Dervishaj, mësohet se ka lënë sallën e gjyqit përpara shpalljes së vendimit, pasi u paralajmërua nga trupa gjykuese të mos fliste pa leje.
