TIRANË- Qeveria pritet të forcojë kontrollet në sistemin financiar përmes disa ndryshimeve në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave. Porpozimi i bërë nga qeveria parashikon kontrollet më të forta për identifikimin e klientëve dhe për monitorimin e transaksioneve financiare.
Bankat, institucionet financiare, noterët, agjencitë imobiliare dhe pikat e këmbimit valutor do të kenë përgjegjësi më të madhe për të kontrolluar klientët dhe burimin e fondeve të tyre sipas relacionit shoqërues të ligjit. Ky i fundit, parashikon vëmendje më të madhe për transaksionet me vlera të larta ose ato që përbëjnë rrezik të shtuar.
Pra, subjektet duhet të kryejnë verifikime më të detajuara, dhe në rastet kur identifikohen lëvizje financiare të pazakonta, duhet të raportohen pranë autoriteteve.
“Subjektet duhet të kryejnë verifikime më të detajuara për klientët dhe për përfituesit përfundimtarë të transaksioneve. Në rastet kur identifikohen lëvizje financiare të pazakonta ose të pajustifikuara ekonomikisht, ato duhet të raportohen menjëherë pranë autoriteteve përgjegjëse”.
Kjo nënkupton se organizatat jofitimprurëse do të jenë nën monitorim për burimin e financimit dhe përdorimin e fondeve, si dhe do të forcohet bashkëpunimi i institucioneve për parandalimin e pastrimit të parave.
“Ndryshimet parashikojnë masa për monitorimin e burimeve të financimit dhe përdorimit të fondeve nga organizatat jofitimprurëse, me qëllim parandalimin e përdorimit të tyre për financim të aktiviteteve të paligjshme. Gjithashtu forcohen mekanizmat e raportimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave”.
Çfarë synojnë autoritetet? Përmes këtyre ndryshimeve, synohet të arrihet kontrolli dhe siguria e sistemit financiar. Po ashtu, parandalimi i depërtimit në ekonomi i parave me burim kriminal, pra mbrojtja e ekonomisë nga aktivitet kriminale.