
TIRANË- Tani ka një vendim, qeveria ka vendosur kushte për kultivimin e kanabisit. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar tërësia e kërkesave dhe kritereve që duhet të kenë zonat dhe parcelat që do të përdoren për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Kërkesa e parë është që zona duhet të jetë “ambient i mbrojtur”, pra një serë me kushte të favorshme për rritjen e bimëve, e mbrojtur nga kushtet e jashtme atmosterike.
"Ky ambient lejon depërtimin e rrezatimit diellor dhe zakonisht përfshin struktura, si sera ose tunele plastike, që ofrojnë një shkallë të caktuar kontrolli mbi temperaturën, lagështinë dhe dritën, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira të bujqësisë dhe të mbledhjes (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave,"-shkruhet në VKM. Por ka edhe kufizime!
Nuk mund të përdoren për mbjelljen e kanabisit tokat që konsiderohen si zona të mbrojtura; pyjet e livadhet, tokat që përdoren për prodhim dhe tokat ushtarake. Nuk mbaron me kaq! Parcelat e tokës që do të përdoren për "prodhim" duhet që të jenë të paktën 3 kilometra larg (në vijë ajrore) nga parqet e bletëve dhe nga zonat ushtarake
VENDIM PËR MIRATIMIN E STANDARDEVE PËR ZONAT DHE PARCELAT E TOKËS, NË TË CILAT DO TË LEJOHET KULTIVIMI I BIMËS SË CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE DHE INDUSTRIALE
Në mbështetje të neneve 100 të Kushtetutës, të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: a) “Standardet”, tërësia e kërkesave dhe kritereve që duhet të kenë zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale; b) “Parcelë e tokës”, sipërfaqe e kufizuar e tokës, përfituar me aktin e fitimit të pronësisë, e cila do të përdoret për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore ose industriale, në zbatim të përcaktimeve të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”; c) “Ambient i mbrojtur”, një mjedis kultivues dhe i mbuluar, i cili krijon kushte të favorshme për rritjen e bimëve, duke mbrojtur ato nga ndikimet atmosferike të jashtme, si ndryshimet ekstreme të temperaturës, era apo reshjet e shiut. Ky ambient lejon depërtimin e rrezatimit diellor dhe zakonisht përfshin struktura, si sera ose tunele plastike, që ofrojnë një shkallë të caktuar kontrolli mbi temperaturën, lagështinë dhe dritën, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira të bujqësisë dhe të mbledhjes (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave; ç) “Ambient i mbyllur”, një mjedis plotësisht kultivues, i mbuluar dhe i izoluar nga ndikimet e jashtme atmosferike, i cili ofron kushte të favorshme për rritjen e bimëve, pa depërtimin e rrezatimit natyror diellor. Ky lloj ambienti përdor ndriçim artificial e sisteme kultivuese për parametrat, si: drita, lagështia, temperatura, ventilimi dhe për ndikimin e faktorëve të tjerë të jashtëm, duke siguruar kushte optimale për kultivimin, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira bujqësore dhe të grumbullimit (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave; d) “Zonë”, tërësia e parcelave të tokës, ku kultivohet bima e cannabis-it për qëllime mjekësore ose industriale; dh) “Terren kultivues ose substrakt kultivues”, një material ose përzierje materialesh, natyrore ose të prodhuara, që siguron mbështetje fizike dhe furnizim me ushqyes për rritjen e bimëve, që mund të përfshijë tokë natyrale, torfë, perlit, vermikulit, fibra kokosi apo substrakte të tjera, që krijojnë kushte të përshtatshme për rritjen e bimëve në një ambient kultivues, duke lejuar rregullimin e lagështisë, ajrimit dhe ushqyesve.
2. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore janë: a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave: i. të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave; ii. të pyjeve, kullotave dhe livadheve; iii. ushtarake; iv. të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit. b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë; c) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes; ç) përqendrimi i metaleve të rënda në tokë apo në terrene kultivuese (substrakte kultivuese), ku kultivohet cannabis-i për qëllime mjekësore, që nuk duhet të kalojë vlerat maksimale, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij; d) toka apo terrenet kultivuese (substraktet kultivuese), ku kultivohet cannabis-i mjekësor, që duhet të plotësojnë standardet e parashikuara në udhëzuesit për praktikat e mira bujqësore e të grumbullimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe në standardet e parashikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO).
3. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime industriale janë: a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave: i. të mbrojtura dhe të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave; ii. të pyjeve, kullotave dhe livadheve; iii. ushtarake; iv. të përcaktuara si sistem urban nga dokumentet e planifikimit vendor të territorit. b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë; c) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
4. Në rastet kur, për ushtrimin e aktivitetit parashikohet kryerja e ndërhyrjeve ndërtimore në parcelën e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, ndërtimi kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
5. Në rastet, kur parcela e tokës përdoret për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë, në zbatim të përcaktimeve të Kodit Civil dhe të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
6. Standardet e parashikuara në pikat 2, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, e 3, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, të këtij vendimi, nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.
7. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe subjektet e licencuara dhe me leje për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Pritet që vitin e ardhshëm të hapen aplikimet për licencimin e operatorëve që do të lejohen të kultivojnë dhe përpunojnë kanabisin në vend për qëllime mjekësore. Përveç kushteve të tokës, Qeveria ka përcaktuar në një vendim të veçantë elementët e sigurisë që duhet të aplikohen për mbrojtjen e sipërfaqeve të kultivimit të kanabisit mjekësor por edhe transportit e lëndëve të para me automjete të dedikuara.
Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare tashmë ka hyrë në fuqi duke përcaktuar në disa pika masat që duhet të merren nga subjektet e licencuara. Sipërfaqet e mbjella duhet të monitorohen 24 në 24 me kamera me specifika të veçanta. Transporti duhet të kryhet me mjete të mbyllura që sigurojnë që ato të mos jenë të dukshme ose të identifikueshme nga jashtë automjetit dhe duhet të shoqërohen me procesverbalin përkatës për sasinë dhe llojin e produktit që transportohet. Makinat duhet të jenë të pajisura me GPS teksa për çdo raste lëvizje të bimës apo fidanit duhet të lajmërohen strukturat shtetërore 5 ditë para./ZËRI