
TIRANË- Laert Haxhiu ka dalë para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për t'u përgjigjur për akuzat e ngritura ndaj tij për masakrën e Lushnjes dhe ngjarje të tjera kriminale në vend. Në seancë i pranishëm është edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe prokurorja e çështjes, Doloreza Musabelliu. Po ashtu, në sallë pranë të birit është edhe i ati i tij, Qamil Haxhiu.
Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë që vendosi burg përjetë në mungesë për 33-vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut. Gjatë seancës së sotme, avokati Detar Hysi ka kërkuar në emër të klientit të tij, largimin e një gjyqtareje.
"Kërkoj largimin nga trupa e gjykimit të gjyqtares Daniela Shirka, pasi ka shqyrtuar një kërkesë në themel,"-tha Hysi. Ndërkohë që në sallë, prokurorja Musabelli ka bërë "apelin" e dëshmitarëve që janë thirrur por kanë zgjedhur që të mos jenë pjesë e seancës gjyqësore.
"Bujar Turku dhe Agron Hoxha konsiderohen të njoftuar, ndërsa për personat e tjerë që janë larguar kërkojmë edhe njëherë te tentohet njoftimi i tyre. Në këto kushte kërkojmë shtyrjen e seancës që të njoftohen dhe ato,"-tha në fjalën e saj prokurorja.
Në seancën e kaluar, Laert Haxhiu përmes avokatit të tij Detar Hysi, kërkoi edhe largimin e prokurores Doloreza Musabelliu, për shkak se ka konflikt interesi. Kjo për shkak se bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani ka deklaruar se Haxhiu kishte planifikuar vrasjen e hetueses, por kërkesa e mbrojtjes nuk është marrë parasysh.
Laert Haxhiu u arrestua në Greqi në maj të vitit 2023, 6 vjet pas masakrës me dy të vrarë në Lushnjë. Në shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij, në prill, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me burg përjetë./ZËRI