SHKODËR- Kur aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth ka hyrë në ditën e 7, para Kishës së Thethit u mblodh Kuvendi i Burrave, një takim që në foksu kishte diskutimin mbi aksion dhe pasojat e tij tek banorët e zonës. Në takim, i pranishëm ishte edhe prifti i Thethit, i cili ka bërë një thirrje për dialog mes autoriteteve dhe banorëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së harmonisë dhe bashkëpunimit për të gjetur një zgjidhje. Po ashtu, Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka dalë në mbështetje të banorëve të zonës. Famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj ka folur për situatën në Theth dhe është shprehur se duhet dialog.
"Vërejmë në vendin tonë të kundërtën, siç thashë kërkojmë të shfrytëzojmë tjetrin. Pse ndodh kjo gjë? Sepse jemi të varfër, nuk kemi kuptuar të duamë të afërmin. Një konflikt i madh në Theth, më vjen shumë keq, sepse i joshën, i rrejtën, i shfrytëzuan, i vjelën dhe në fund i hodhën dhe i tradhëtuan, i dogjën, i shkatërruan. Do i gjobisin dhe do i burgosin. Faik Konica thotë një fjalë që duhet të na bëjë të reflektojmë: E keqja e madhe e Shqipërisë janë shqiptarët. Merre përpara vëllaun tand, ule dhe kërko ta bindësh se cila është e mira dhe e vërteta. Nuk të dëgjon? Mos e gjyko as paragjyko sepse nuk je ti Zoti i tij. Thirri dhe 2-3 dëshmitarë, nëse prapë nuk dëgjon, ftoje krejt bashkësinë. Kur e ke bërë edhe tentativën e tretë, atëherë lëqite. Sepse ai nuk e do të mirën. Unë ftoj të mendoni seriozisht në lidhje me këtë gjë. Bindni njëri-tjetrin dhe gjeni një rrugë-zgjidhje. Nuk është ligji mbi çdo gjë. Mes vëllezërisht duhet gjithëmonë me u marr vesh. Ata që janë skllevër nuk marrin parasysh se kujt i shkatërrohet jeta. Ka prapë shumë ligësi dhe nuk dinë me u marr vesh për të mirën."
Ndaj siç është "zakoni", si në çdo situatë të vështirë, edhe sot "kuveni i burrave" ishte mbledhur për të diskutuar çështjen e shembjeve. Të ulur këmbëkryq, përfaqësuesit e familjeve dhe burrat e Dukagjinit diskutuan për qëndrimin që do të mbajnë përballë ndërhyrjeve të shtetit.
Diskutimi në Kuvend:
-Po bëjmë filozofira këtu, Thethi krahë ka boll, le të na japin fjalën dhe pasha emrin e Zotit, gjaku derdhet lumë. Atij burrit të huaj po i shkatërrohet jeta se është 300 mijë euro borxh, nuk ka sesi t’i lajë. Këtu nuk ka lekë me zarfa si në Sarandë. Atje në Sarandë ka lekë për Ramën. Ai mbyt të dobëtin. Famullin e kemi këtu, ai është anti-krisht. Ka mbaruar ai. Të na japë fjalën bajraktari dhe ne marrim male.
- Bajraktarët i kanë prirë gjithmonë burrat në krye. Bajrakarët dhe prifti kanë negociuar. Negociatat të bëhen këtu. Unë për fe, i kam prirë gjithë rinisë së Shkodrës. Po kështu siç ka ardhur puna, me ju ardh bajraktari, kështu si jeni sot, nuk kanë burrni as ata. Kështu ai ju ka hyrë ballë për ballë.
- Ju bekoftë Zoti! Feja nuk ka thënë as me vra, as me pre. Iku gjysma e Thethit u shkatërrua. Jemi shumë vonë. Ata policë, punonjës, të vijnë dhe të ulen e të bëjnë dialog. Ose ky popull i del përpara, le të bëhet gjak e çka të dojnë, nuk marrim gjë parasysh.
- Të na japi fjalën bajraktari, mblidhemi të rinjtë dhe ju pleqtë veç rrini dhe na jepni një fije krah. Po pasha Zotin nuk ka shans, në qafë të Thorës nuk ka hyrë turku. Jo po na vjen Ramoviçi e na heq bukën e gojës. është buka gojës, jo lojë me lujt. Kjo është maskaradë. Nuk është rasti me ba filozofi. Na jep fjalën bajraktar se ka trima boll. Na jep zemër dhe nuk e lëshojmë këtë vend.
Prifti: Unë po përsëris thirrjen për dialog!
Edhe pse banorët i kërkuan "fjalën" për të marrë armët, bajraktari Zef Sokol Vladaj bëri thirrje për dialog.
"Problemi është kjo, vërtetë përfaqësuesi i Kishës tha nuk punohet me Kanun. Ju kam ndjek me vëmendje dhe kam ardhur sot. I kam pa të gjitha. I kam bërë thirrje kryeministrit që të ndërpresë aksionin sa më parë. Por dua të them një gjë; ato shtëpiat tona nuk janë prishur akoma, por do u vijë dita edhe tyre. Në fund duhet ta vlerësoj si tek shpia ime. Edhe në Kosovë kur ra serbi, atje u derdh gjak. Pra prej Kosove, anë e mbanë botës më kanë çuar mesazhe që janë pro me ne, por me rregulla. I kemi mbrojtur me gjak këto kulla, nuk është e arsyeshme që të hyjnë në tokat tona. I kanë fshehur tapitë se ne i kemi. Të ulemi të bisedojmë, jo të shkatërrojmë. Jemi vëllezër, nuk është e arsyeshme. Natën dhe ditën më keni me arsyet e mia. Kërkoj prej Ipeshkëve që t'i bëjë thirrje qeverisë, se po del populli në rrugë të madhe. Fëmijëve në bark u ka hyrë tmerri. Pro me ju jam dhe unë. Nuk tërhiqem asnjëherë, por gjithçka brenda rregullave, brenda normave. Të dialogojmë: pse shembin? Motra e vëllezër jemi dhe ne."
Por çfarë është Kuveni i burrave?
Kuvendi i Burrave ishte një mbledhje pleqësie që përbëhej nga burrat më të nderuar të fisit apo krahinës — zakonisht të moshuar, me autoritet moral dhe përvojë. Ata mblidheshin për të marrë vendime të rëndësishme për çështje që preknin të gjithë komunitetin. Çështjet që trajtonte: Zgjidhja e konflikteve mes familjeve apo fiseve; Ndëshkimi sipas Kanunit (sidomos Kanuni i Lekë Dukagjinit); Vendime për martesë, pajtime gjaqesh, prona etj.; Organizimi i jetës komunitare në mungesë të shtetit. Gratë nuk merrnin pjesë në këto mbledhje, por sot e pranishme ishte deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli. Deri më sot, Kuvendet e Burrave ishin rralluar dhe nuk kanë më funksione zyrtare, por në disa zona rurale mund të ekzistojnë ende në formë simbolike, por sot duket se funksioni i këtij institucioni është rikthyer.
Teksa takimi i mbajt mesditën e sotme, aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit ka vijuar edhe gjatë kësaj të diele. Fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë vazhduar prishjen e objekteve pavarësisht rezistencës së disa banorëve. Por bashkë me fadromat kanë shkuar edhe dhjetra forca të Policisë së Shtetit, pasi herë pas here ka tensione dhe përplasje. E ndërsa në një anë shembet, paralelisht, struktura nga Bashkia e Shkodrës kanë shkuar në terren për të hequr inertet dhe të pastrojnë zonën. Deri më sot, flitet për gati 80 godina dhe kabina të prishura, por aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, pasi autoritetet kanë identifikuar edhe objekte të tjera pa dokumentacion të rregullt. Në fund, do të ketë një bilanc total lidhur me aksionin e inicuar nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin./ZËRI