TIRANË- Ish-deputetja Monika Kryemadhi është ndalur në një prononcim për mediat pas përfundim të seancës së gjykimin në themel të dosjes 'Meta'. Pasi ndau detaje nga seanca e sotme, Kryemadhi foli për shpenzimet e pretenduara, duke thënë se ishi-bashkëshorti i saj Ilir Meta, nuk ka lidhje.
Kryemadhi theksoi se nuk ka asnjë shpenzim të tepruar siç pretendon SPAK, duke theksuar se vetë ajo nuk bërë asnjë operacion plastik. Ajo shtoi se bëhet fjalë për operacionet e Metës dhe të vajzave të ish-çiftit.
Gjithashtu, Kryemadhi bëri edhe një deklaratë të fortë në lidhje me hetimet e SPAK-ut ndaj kushëririt të saj, Adrian Shatkut. Sipas Kryemadhit, Shatku ka për të fituar 10 milionë euro, pasi, sipas saj, është shkelur privatësia dhe marrëveshja mes SPAK-ut dhe Departamentit të Drejtësisë, me pretendim se dokumentacionet e marra për të janë siguruar pa vendim gjykate.
"Kam qenë klasa punëtore që mbaja mbarëvajtjen e shtëpisë. E para, nuk ka pasur asnjë shpenzim të pretenduar nga SPAK-u. Bëhet fjalë për operacionet e vajzës dhe të Metës, sigurisht që kanë qenë të deklaruara. Nuk kam bërë asnjë operacion plastik.
Ilir Meta, për fatin e tij të mirë, duke qenë burrë shteti, nuk është marrë asnjëherë me gjërat e shtëpisë. Për fatin e tij të mirë, ai nuk është pjesë e atij lloj shpenzimesh me kushëririn tim, Adrian Shatku, i cili edhe ai është me fat.
Qylaxhi gjithë jetën, ka për të fituar. Për fatin e tij të mirë, tani që çështja shkoi për gjykim, do të hapen të gjitha letrat dhe, duke qenë se është shkelur privatësia dhe marrëveshja mes SPAK-ut dhe Departamentit të Drejtësisë, sepse dokumentacionet e marra për Adrian Shatkun janë marrë pa vendim gjykate, gjë që është e dënueshme në Amerikë", tha Kryemadhi./ZËRI