
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet për grupin e Lushnjes, me në krye Laert Haxhiun. Sot, SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për 9 të pandehur. Në dosje janë: Lulzim Spahija (Arapi); Artan (Marjus) Tafani; Ligor Romacka; Bledar Berberi; Erisiano Abedini; Bujar Abedini; Mariglen Topuzi; Idriz Manej; Enriko Xhahysa. Nga njoftimi i bërë për mediat, SPAK njofton se nga hetimet e kryera ka arritur që të dokumentojë veprimtarinë e grupit të Laert Haxhiut mes prillit të vitit 2021 deri në maj të 2023, kohë kur ai u prangos në Greqi.
"Është dokumentuar se aktiviteti kriminal i këtij grupimi të strukturuar është i shtrirë nga muaji prill i vitit 2021 deri në muajin maj të vitit 2023, kur dhe arrestohet në Greqi, drejtuesi dhe organizatori i këtij grupimi kriminal, Laert Haxhiu – personi ndaj të cilit vijojnë hetimet, pas ekstradimit të tij nga Greqia. Laert Haxhiu, organizatori dhe drejtuesi i këtij grupimi kriminal, ku bënin pjesë edhe të akuzuarit; Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini, e filloi ndërmarrjen e akteve kriminale ndaj jetës, shëndetit dhe pronës së viktimave të krimeve, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij (djalit të xhaxhait) Klodian Haxhiut, të ndodhur vite më parë dhe pas arrestimit lidhjeve të tij të ngushta shoqërore, shtetasve Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili. I drejtuar dhe e organizuar nga Laert Haxhiu, grupimi i tij kriminal ndërmori akte konkrete kriminale për vrasjen e personave, të cilët i mendonte si pjesëtarë të grupimit kriminal të Aldo Bares, për të cilët besonte se kishin qenë të përfshirë në vrasjen e kushëririt të tij. Aktet kriminale të këtij grupimi të strukturuar nuk synuan vetëm jetën dhe shëndetin e kundërshtarëve të supozuar, por dhe shkatërrimin e pronës së tyre si dhe akte vjedhjeje të pronës me përdorim të armëve. Përveç vrasjeve të Çajup Selimit e Albi (Dijonist) Bashaliut, të gjitha krimet e tjera të lartpërmendura janë organizuar, shtyrë dhe ekzekutuar në shenjë hakmarrjeje dhe për të njëjtat motive,"-bën me dije SPAK për mbylljen e hetimeve.
Të pandehurit ranë në burg në kuadër të operacionit “Never Forget”, operacion që çoi në shpërbërjen e grupit të Laert Haxhisë dhe zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale që tronditën vendin. Kjo falë dëshmive të dhëna nga Artan Tafani para prokurorive të SPAK. i cili zbardhi 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, etj.
Dëshmitë e tij hodhën dritë mbi vrasjet e Çajup Selimit, Lulzim Qorrit, Dikens Halilit, Fridman Xhaferrajt, Albi Bashaliut dhe Alban Semakut. Po ashtu, sipas Tafanit, Haxhiu kontrollonte trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Portin e Pireut në Greqi, dhe mandej koordinonte shpërndarjen e saj në vendet e BE, me disa grupe kriminale që operojnë në Jug të Shqipërisë. Por për këtë pjesë të dytë të dëshmisë së tij, nga ana e SPAK ende nuk ka asnjë aksion të finalizuar, e mesa duket dosja po vijon të hetohet./ZËRI