
TIRANË-Banorët e Velipojës e kanë zhvendosur protestën e tyre para SPAK, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti nga biznesmeni Bashkim Ulaj, i cili ka nisur në kufi me zonën e fshatit Baks-Rrjoll në afërsi të zonës së Ranës së Hedhun. Banorët kanë dorëzuar edhe një kallëzim kundër biznesmenit Bashkim Ulajt, të cilin e akuzojnë se po u grabit pronat.
Rreth 60 familje kërkojnë ndalimin e punimeve, pasi akuzojnë se biznesmeni Ulaj në bashkëpunim me kreun e Partisë së Lirisë në Malësi të Madhe, Fatmir Shpellzaj kanë falsifikuar dokumentet. Janë 95 mijë metër katrorë tokë në breg të detit në zonën e Rrjollit në Velipojë e cila sipas banorëve është pronë e tyre që nga viti 1936. Prona ngjitur me brezin rënor, ka një gjatësi prej 4 kilometrash.
“Kemi bërë një shtesë në kallëzim, kam parë në dokumente që shumë persona të ngritur me pushtet që edhe sot punojnë në Gjykata, janë të korruptuar dhe kanë bërë korrupsion lidhur me pronat. I pari që ka nisur falsifikimin është Fatmir Shpellzaj kryetari i një force politike, Partia e Lirisë. Vojsava Kola Osmani është personi tjetër. ka dhënë vendimin që 1500 dynym tokë. Janë përfituar nga një person që s’ka lidhje me këtë fshat. Janë dhe gjyqtarët e tjerë. Një tjetër gjyqtar është Astrit Kalaja. E kam kallëzuar në SPAK,"-u shpreh për mediat një prej protestuesve.
Një prej protestuesve mes lotësh tha se i ka kërkuar të birit që të largohet nga vendi për shkak se po i grabisin pronën.
“Nuk ka më trup se me i thënë djalit, ik mor babë prej Shqipërie. Ik se të morën tokën. Unë do vdes aty, ju betohem. Me i thënë djalit që kam 23 vjeç, është krim. Na kanë stresuar, kemi 3 ditë që flemë nëpër ferra. Nuk kemi lidhje me politikën, kemi hallin e pronës dhe fëmijëve tonë. Duhet me i thënë djalit, ik mor babë se të vranë", tha banori mes lotësh.
Protesta e tyre kundër ndërtimit të resortit nisi më 26 mars, ku të vendosur nuk lejuan punimet në kufi me zonën e fshatit Baks-Rrjoll në afërsi të zonës së Ranës së Hedhun. Gjatë protestës nuk munguan as përplasjet me efektivët e policisë. Banorët kanë tentuar të bllokojnë makineritë e kompanisë “Gener 2”, ndaj dhjetëra efektivë kanë ndërhyrë duke shoqëruar disa prej protestuesve. Banorët janë shprehur se kjo është toka e tyre të cilën e kanë me dokumenta që nga viti 1927 dhe nuk janë pyetur në lidhje me ndërtimin.
Lidhur me këtë ngjarje ka ardhur një reagim zyrtar edhe nga vetë Kompania 'Gener 2' e cila sqaron se projekti i saj “Blue Borgo”. Kompania 'Gener 2' thekson se në çdo fazë të projektit kanë respektuar me korrektësi të gjitha normat ligjore dhe institucionale, duke përfshirë këtu edhe dëgjesat publike me banorët e zonës.
"Kompania Gener 2 garanton se gjatë këtij procesi nuk i ka cënuar askujt të drejtat e pronësisë dhe asnjë të drejtë tjetër, por është mbështetur vetëm në vendimet e çertifikuara në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Çdo pretendim tjetër lidhur me pozicionin tonë për projektin “Blue Borgo” është një spekullim i pastër, pa asnjë lidhje me të vërtetën, të cilin e konsiderojmë një deformim të qëllimshëm ose jo, që thjesht dhe vetëm dezinformon publikun. Kompania Gener 2 mbetet plotësisht e angazhuar në realizimin në kohë dhe në cilësi të projektit “Blue Borgo” në përputhje të plotë me standartet më të mira bashkëkohore dhe në respekt të plotë me të gjitha procedurat ligjore të Republikës së Shqipërisë,"-thuhet në reagim.
Në 31 dhjetor të vitit 2024 biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës. Fshati turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh./ZËRI