TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë pretencën për 17 anëtarët e një grupi kriminal, i cili ka kultivuar përmes serave në qytetin e Beratit rreth 1.8 ton lëndë narkotike, kanabis.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, prokurori Behar Dibra kërkoi ndaj tyre, 133 vite burg në total. 17 të pandehurit po gjykohen me procedurë të shkurtuar dhe do të përfitojnë ulje të dënimit. Për 4 nga të pandehurit, Bashkim Mema, Drita Mema, Izmire Mema dhe Edison Mema, u kërkuar pezullimi i dënimit me burg dhe vënia e tyre në provë në 3 vite.
Pretenca:
Sadetin Hasaj 13 vite burg
Blerim Xheka 13 vite burg
Sidrit Bisha 10 vite burg
Suad Smakaj 9 vite burg
Jurgen Ujkaj 10 vite burg
Samoel Lushaj 10 vite burg
Endriol Xheka 9 vite burg
Mirvaldo Disha 9 vite burg
Hamdi Dyli 8 vite burg
Arben Vrapi 6 vite burg
Adiol Çifkiku 6 vite burg
Lulzim Bushataj 5 vite burg
Mustafa Manej 5 vite burg
Bashkim Mema 5 vite burg
Drita Mema 5 vite burg
Izmire Mema 5 vite burg
Edison Mema 5 vite burg
Në këtë grup ishin të përfshirë edhe 93 gra, punonjesë në këtë aktivitet të paligjshëm, por SPAK shpalli moskompetencë për to. Operacioni atëherë u ndërmor më 10 nëntor 2022, gjatë të cilit u kap një sasi prej 870 kg kanabis si dhe u arrestuan 11 persona. Dy vite më pas me kërkesë të SPAK, GJKKO firmosi më 22 prill 2024 caktimin e masës së sigurisë personale “arrest në burg” për 9 persona.
Gjatë këtyre kontrolleve, në banesën e njërit prej të hetuarve më parë, u gjetën dhe u sekuestruan 30 kubikë me fidanë kanabisi dhe fara kanabisi të kultivuara në ambient të mbyllur brenda njësisë së banimit, në katin e tretë, ku kishte instalime elektrike dhe pajisje elektrike (llampa) dhe mushama reflektuese. Në përfundim të kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e sendeve prova materiale: 33 aparate celularë të llojeve e modeleve të ndryshme, 1 DVR, 1 laptop, 1 kartë memorie dhe 5 automjete./ZËRI
