TIRANË-Ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj Artan Gaçi janë vendosur zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime për korrupsion dhe pastrim parash. Raportohet se masa vjen në kuadër të hetimeve ku është përfshirë edhe bashkëshorti i saj, biznesmeni Artan Gaçi. Çifti i bashkëshortëve Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi u paraqitën dy ditë më parë (14 tetor) në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Sipas gazetares Klodiana Lala nga hetimet e deritanishme janë gjetur të dhëna që e implikojnë ish-ministren e Jashtme në afera korruptive dhe transaksione përmes kompanive të bashkëshortit të saj. Artan Gaçi, ish-ligjvënës i mazhorancës, ka statusin e investitorit strategjik dhe po ndërton një resort turistik mbi një pronë që rezulton se është përfituar përmes falsifikimit.
Ndërkohë më 8 tetor 2026, Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, u paraqit SPAK, i shoqëruar nga avokati Gurali Braimllar në kuadër të hetimeve për pastrim të produkteve të veprës penale. Bëhet fjalë për një dosje italiane, e cila e lidh Gaçin me aktivitetin e një kompanie që kishte si objekt të shprehur shërbimet e marketingut telefonik dhe call centerave.
Në fokus të hetimeve janë dy kompani, RAKEHA dhe SUPREME, dokumentet e të cilave evidentojnë lidhje biznesi mes personave të përfshirë dhe aktivitet në fushën e marketingut telefonik. Sipas dokumenteve të regjistrimit, Gaçi ka qenë ortak i kompanisë RAKEHA që prej themelimit të saj, më 21 shtator 2006 fillimisht me 30% të kuotave. Pjesa tjetër zotërohej nga Idlir Lopçi dhe Gent Agolli. Në janar 2007 kuotat u barazuan në 33,3% për secilin ortak.