Aktualitet

Kontradikta e çuditshme/ Milionerët e jahtit mohojnë të kenë qëlluar me armë...por nuk shpjegojnë pse iu larguan Policisë për 2 orë!

Katër personat që ndodheshin në bord, emra të njohur biznesmenë, kanë mohuar të kenë qëlluar me armë zjarri, ndërsa pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë. Megjithatë, një pikëpyetje që ngrihet lidhet me lëvizjet e jahtit pas sinjalizimit të policisë.

zh.ll
Kontradikta e çuditshme/ Milionerët e jahtit mohojnë të
pamje nga jahti

TIRANË- Të shtënat në jahtin luksoz në Palasë vijojnë të mbeten mister, po aq sa edhe pistoleta që dyshohet se është përdorur dhe që ende nuk është gjetur.

Katër personat që ndodheshin në bord, emra të njohur, biznesmenë, kanë mohuar të kenë qëlluar me armë zjarri dhe pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë. Megjithatë, një pikëpyetje që ngrihet lidhet me lëvizjet e jahtit pas sinjalizimit të policisë.

Çfarë ndodhi? Sipas burimeve, mjeti lundrues është ndjekur për rreth 2 orë nga forcat e policisë, pasi dyshohet se ka tentuar të largohet dhe ka ndryshuar kurs gjatë lëvizjes. Por, jahti është rrethuar nga të gjitha anët nga shërbimet policore dhe më pas është ndaluar për verifikim.

Largimi i jahtit vijon të mbetet enigmë e kësaj ngjarjeje. Nëse personat në bord mohojnë të kenë qëlluar me armë dhe njëkohësisht nga kontrolli nuk u konstatua asnjë send i paligjshëm, pyetja që ngrihet është: përse jahti tentoi t’i largohej policisë dhe të ndryshonte kurs? Sipas burimeve, jahti dyshohet se ishte nisur në drejtim të Greqisë, por ndryshoi kurs pas sinjalizimit të policisë.

Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije se gjatë kontrollit në bord dhe ndaj personave që ndodheshin në jaht nuk është gjetur asnjë armë apo send i kundërligjshëm. Ndërkohë, mësohet se hetuesit u kanë marrë mostra nga duart personave të shoqëruar për ekspertizën e mbetjeve të barutit, rezultatet e së cilës pritet të tregojnë nëse ndonjëri prej tyre ka përdorur armë.

Në bordin e jahtit ndodheshin Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, pronar i “Brunes Group”, si dhe Pashk Gjini, i njohur me nofkën “El Chapo shqiptar”, së bashku me Leonard Hasa dhe Afrim Kastrati.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa ende mbeten pa përgjigje pyetjet: kush qëlloi me armë dhe përse jahti tentoi të largohej nga policia./ZËRI

Poll

MOS HUMB