TIRANË-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës materialet hetimore për dy punonjës policie të dyshuar për shpërdorim detyre, lidhur me pallatin 12-katësh të konfiskuar një ditë më parë (13 maj) në rrugën “Llukë Kaçaj”. Në këtë procedim janë përfshirë K. M., Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin nr. 4, si dhe S. K., Specialist për Hetimin e Krimit në të njëjtin komisariat.
Në pallatin i cili ndodhet në rrugën ‘Llukë Kaçaj’, aktualisht i pabanuar pasi punimet ende nuk kanë përfunduar, kati i 10-të, i 11-të dhe një pjesë e katit të 12-të ishte ndërtuar pa leje. Përveç ndërtimit pa leje u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim, pa certifikatë përdorimi. Objekti i konfiskuar do të përdoret për interes publik.
Njoftimi i AMP:
Gjatë monitorimit të mediave elektronike janë konstatuar raportime se në një objekt shumë katësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, Nj. Administrative nr. 4, janë ndërtuar 2 kate banimi, në tejkalim të atyre të përcaktuara në lejën përkatëse leshuar nga Bashkia Tiranë.
Pas verifikimeve të kryera nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, ka rezultuar se objekti është ndërtuar në tejkalim të lejës së ndërtimit mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik, referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka administruar dokumentacionin shkresor si edhe ka marrë deklarimet e strukturave policore përkatëse, ku bazuar në veprimet e para hetimore ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
K. M., me detyrë Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.
S. K., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.

