Aktualitet

Vlera deri në 50 %/ AK: Si i zhvat Raiffeisen qytetarët me komisionet e sigurimit të kredisë

UBA Bank dhe Union kishin krijuar po ashtu një rreth të mbyllur monopoli brenda vetes, ndërkohë që në banka të tjera ka dyshime për orientimin e klientëve drejt shoqërive të preferuara të sigurimit.

F.I
Vlera deri në 50 %/ AK: Si i zhvat Raiffeisen qytetarët me komisionet
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Një hetim i thelluar i Autoritetit të Konkurrencës ka hedhur dritë mbi një skemë zhvatje, që disa banka kanë ndërtuar me komisionet e sigurimit të kredisë. Rasti më i rëndë është ai i Raiffeisenit, e cila u mban qytetarëve komision ndërmjetësimi deri në 50 për qind të policës së sigurimit të kredive konsumatore. 

"Niveli i lartë i komisioneve të ndërmjetësimit të aplikuara në këtë treg ngre dyshime mbi shfrytëzimin e pozitës dominuese në dëm të konsumatorit"-thotë Autoriteti i Konkurrencës duke sqaruar me footnote se komisionet e ndërmjetësimit, që Raiffeisen aplikon arrijnë deri në 50 për qind të policës për kreditë konsumatore. Në bankët e tjera komisioni i ndërmjetësimit luhatet rreth nivelit 25% e policës. 

Vlera deri në 50 %/ AK: Si i zhvat Raiffeisen qytetarët me komisionet
DOKUMENTI

Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës

Hetimi i Konkurrencës ka zbuluar se Raiffeisen kishte një marrëveshje ekskluzive me shoqërinë Sigal, ku orientonte të gjithë qytetarët që merrnin kredi konsumatorë ta blinin policën e sigurimit tek kjo shoqëri duke ngritur kështu një monopol të mbyllur. Vetë Raiffeisen në rolin e brokerit mbante nga qytetarët gjysmën e policës së sigurimit duke i ngarkuar ata me një kosto zhvatje. 

"Marrëveshja ekskluzive e konstatuar për segmentin e kredive konsumatore me shoqërinë Sigal Life, krijon indicie mbi mundësinë që sjellja e bankës të ketë prodhuar efekte kufizuese të konkurrencës dhe t'i ketë orientuar qytetarët drejt shoqërisë së preferuar të bankës," thuhet në hetim. 

Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mos e gjobisë Raiffeisenin pavarësisht praktikave zhvatëse të aplikuara nga banka, por ndërhyri duke e detyruar atë që të përpilojë një formular të vetëm me të gjitha ofertat e shoqërive të sigurimit duke i lënë qytetarët të vendosin vet se ku duan të sigurohen. Paralelisht Konkurrenca urdhëroi bankën të ndryshojë nenin 10 të kontratës standard të kredisë duke i cilësuar kredimarrësit të drejtën për të siguruar jetën në secilën nga shoqëritë e sigurimit të liçencuara nga AMF. 

Por Raiffeisen nuk është banka e vetme që ka zbatuar praktika antiligjore në tregun e sigurimit të kredive. UBA Bank dhe Union kishin krijuar po ashtu një rreth të mbyllur monopoli brenda vetes, ndërkohë që në banka të tjera ka dyshime për orientimin e klientëve drejt shoqërive të preferuara të sigurimit. 

Megjithatë Autoriteti i Konkurrencës nuk gjobiti asnjë prej bankave, por ndërhyri përmes urdhrave administrative, duke ndaluar marrëveshjet ekskluzive si dhe duke ndryshuar praktikat përmes të cilave bankat kufizojnë konkurrencën në këtë treg./Kapital

Poll

MOS HUMB