KAVAJË- Genti Nela, kamarieri 18-vjeçar që u dhunua nga djemtë e pronarit të hotelit 'Flar' ku ishte i punësuar, ka rrëfyer detajet e ngjarjes. Nela ka treguar se kishte filluar punë në hotelin 'Flar', në zonën e Malit të Robit në 10 korrik të këtij viti, ku kishte kishte biseduar me Florian dhe Arbër Habilaj.
Pas marrjes së pagës së parë më 10 gusht, 18-vjeçari kishte vendosur të largohej pasi do të punonte diku tjetër dhe për këtë u kishtë kërkuar pagën Florian dhe Arbër Habilajt. Këta të fundit, sipas dëshmisë, nuk e kanë pranuar largimin e tij dhe fillimisht e kanë fyer e më pas e kanë goditur.
Sipas dëshmisë, 18-vjeçari është goditur fillimisht nga Floriani më grusht, ndërsa më pas, Arbëri e ka goditur me një tavëll qelqi në kokë, në fytyrë dhe në trup. Ai është dhunuar gjithashtu edhe nga dy shtetasit e tjerë të pranishëm në ngjarje, Enold Dragoti (shoku i vëllezërve Habilaj) dhe Mariglen Mosha (bashkëshorti i motrës së tyre).
Kamarieri tregon se ka arritur të largohet pasi iu është kundërpërgjigjur me gota qelqi dhe grushte, e megjithatë është ndjekur nga të katërt, të cilët përsëri i kanë bllokuar rrugën dhe e kanë goditur. Ai rrëfen se teksa dhunohej prej tyre, ata e kanë fyer dhe kërcënuar se do ta vrisnin.
"Në momentin që i kam thënë këtë, të pranishëm kanë qenë Florian dhe Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha. Ata nuk e kanë pranuar largimin tim nga puna dhe fillimisht më kanë sharë.
Floriani më ka goditur i pari me grusht, ndërsa Arbëri më ka goditur me një tavëll qelqi në kokë dhe në ftyrë. Jam goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Mariglen Mosha më ka mbajtur dhe më ka penguar të largohesha. Ata më kishin bllokuar rrugën dhe vazhdonin të më godisnin.
Gjatë kohës që më godisnin, më kanë kërcënuar vazhdimisht se do të më vrisnin. Duke u ndjerë në rrezik dhe për t’u mbrojtur, kam marrë një gotë qelqi dhe kam goditur Florianin në kokë. Kam goditur edhe me grushte, me qëllim që të largohesha prej tyre.
Pas kësaj kam arritur të largohem me vrap, por jam ndjekur nga të katër personat, të cilët më kanë bllokuar përsëri rrugën dhe më kanë goditur sërish”, ka thënë ai.
Për ngjarjen, janë arrestuar dhe po mbahen nën arrest me burg Florian Habilaj dhe Enold Dragoti, ndërsa vijon të jetë në kërkim Arbër Habilaj, djali tjetër i pronarit të hotel 'Flar'. Pas ngjarjes u arrestua dhe xhaxhai i kamarierit, Melison Nela, i cili shkoi në ndihmë të nipit, por u arrestua për shkak se iu gjet armë dhe municione në makinë.
Rasti u raportua mesditën e 29 gushtit kur Melison Nela, xhaxhi i 18-vjeçarit Genti Nela u arrestua në flagrancë teksa po shkonte i armatosur drejt hotelit. Sipas akuzës, 18-vjeçari kamarier u dhunua pasi kërkoi pagën për punën e kryer në hotel. Dy të arrestuarit akuzohen nga Prokuroria për “plagosje të rëndë me dashje”./ZËRI