FIER- Një 37-vjeçar është arrestuar në Fier, ndërsa është shpallur në kërkim babai i tij, pasi akuzohen për trafik droge. Mësohet se në pranga ka rënë Joni Muçaj alias Ervin Muçaj nga fshati Peshtan në Fier.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi qindra doza kanabis dhe 2 milionë lekë dhe 700 euro të cilat dyshohet të jenë përfituar nga kjo veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa. Nga kontrolli i banesës shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në qindra doza gati për shitje, 12 fishekë arme gjahu, 3 gërshërë që shërbenin për të përgatitur (ndarë) lëndën narkotike, një shumë parash prej 2 milionë lekë dhe 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me 5 celularë. Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi D. M., 61 vjeç, banues në fshatin Peshtan Bregas, babai i shtetasit J(E). M. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /ZËRI