TIRANË-ZËRI prej vitit 2024 raportoi rastet e abuzimit dhe denoncimet e qytetarëve që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Pa asnjë filtër, këto institucione iu dhanë qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë.
Subjektet të licencuara për aktivitetin e mbledhjes së kredive më probleme që iu kishin shitur bankat, iu rritën detyrimet qytetarëve dhe pas hetimit nga SPAK, rezultoi se shoqëritë financiare, konkretisht Micro Credit Albania, FINAL, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, përdorën të dhënat personale të siguruara; presionin psikologjik dhe përndjekjen për të detyruar debitorët që të merrnin kredi të reja në këto institucione me principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta.
Sot dy vite pas raportimeve të shumta, një projektligj i ri i Bankës së Shqipërisë përcakton se subjektet që blejnë dhe mbledhin kredi të këqija, nuk mund të vendosin interesa, penalitete, komisione apo tarifa më të larta se ato që parashikoheshin në marrëveshjen fillestare të kredisë. Në draftin e hedhur për konsultim thuhet se kushdo që blen një kredi të keqe, nuk mund të shtojë asnjë kosto jashtë kontratës origjinale.
Në pikën 4 të nenit 293, nënvizohet se “subjekti financiar jobankë i licencuar për blerjen e kredive, nuk mund të japë kredi të reja”. Ndërsa kompetencën për të përcaktuar kërkesat për realizimin e një rinegocimi të kredive të blera nga këto subjekte do ta ketë Banka e Shqipërisë, e cila do të nxjerrë akte nënligjore për të rregulluar edhe këto raste.
“Subjekti financiar jobankë i licencuar për blerjen dhe mbledhjen e kredive me probleme nuk mund të aplikojë norma interesi, penalitete, komisione, tarifa si dhe çdo lloj barre financiare, pavarësisht emërtimit të tyre, më të larta se ato të parashikuara në marrëveshjen e kredidhënies midis kredimarrësit dhe kredidhënësit të parë”, thuhet në nenin 293 të projektligjit “Mbi Ushtrimin e Veprimtarisë të Institucioneve të Kreditit dhe Mbikëqyrjen e Kujdesshme të Tyre”.
