Aktualitet

'Jam këshilltare e Ramës'! Burg për Ina Çekajn, mashtronte banorët e prekur nga tërmeti: Artur Bushi më vuri gjobë 13 mijë euro

Në këmbim të ndërmjetësimit për përfitimin e kompensimit, ajo dyshohet se u kërkonte banorëve shuma që varionin nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.

F.I
'Jam këshilltare e Ramës'! Burg për Ina Çekajn,
Ina Cekaj

TIRANË-Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ina Çekaj, e cila u arrestua dy ditë më parë nga policia për akuzën e “Mashtrimit financiar më shumë se një herë” dhe “Falsifikimit të dokumentave” për qëllim përfitimi. Çekaj dyshohet se ka mashtruar banorë të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019 në Fushë-Krujë dhe Laç, duke u prezantuar si këshilltare e kryeministrit Edi Rama. 

Konkretisht 45-vjeçarja deklaronte se ishte vendosur nga kryeministri në krye të një projekti të quajtur “La Mama”, i cili, sipas saj, ishte krijuar për të kompensuar financiarisht familjet e dëmtuara nga tërmeti. Në këmbim të ndërmjetësimit për përfitimin e kompensimit, ajo dyshohet se u kërkonte banorëve shuma që varionin nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.

Çekaj përdorte kartëvizita të falsifikuara dhe dokumente të tjera false, duke pretenduar se kishte lidhje me kryeministrin dhe strukturat qeveritare. Për të krijuar besim ajo publikonte në rrjetet sociale edhe statuset e kryeministrit Edi Rama, duke përdorur këtë mënyrë për të forcuar pretendimin se kishte lidhje me të.

Dyshimet për mashtrimin janë ngritur pasi disa prej banorëve kanë kuptuar se premtimet nuk ishin të vërteta dhe i janë drejtuar policisë së Fushë-Krujës, duke bërë kallëzim penal.

Gjatë marrjes në pyetje Ina Çekaj, sipas gazetarit Elton Qyno ka pohuar të gjithë dinamikën e mashtrimeve që kryentë në zonën e Fushë-Krujës, duke treguar se ka pasur një konflikt me Artur Bushin, Kryetar i Bashkisë Krujë, për shkak të një gjobe administrative që sipas saj kishte arritur vlerën 13.000 euro.

Në këtë kuadër deklaroi se kishte marrë shuma monetare nga disa banorë të Fushë-Krujës, konkretisht 400 paund nga M. Baloshi, 1000 euro nga Xh. Seferi, 2000 euro nga T. Leka, 1600 euro nga N. Xhija dhe 8000 euro nga N. Balluku, të cilat sipas saj janë përdorur për pagesën e kësaj gjobe.

Policia, beson se janë më shumë se 30 persona në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës që janë mashtruar nga Ina Çekaj, por ata ngurrojnë të kallëzojnë me shpresën se do arrijnë të marrin sërisht mbrapsht shumat financiare që i kanë dhënë Çekaj. Sipas deklarimit të kallëzuesve, Ina Çekaj u prezantohej herë si zyrtare pranë kryeministrit, Edi Rama, herë si zyrtare pranë bashkisë së Tiranës dhe herë si zyrtare pranë Entit Kombëtar të Banesave.

Pas marrjes së lekëve ajo zhdukej, duke e bërë shumë të vështirë kontaktimin e saj. Pasi herë pas here justifikohej se: “...ishte në pritje të ministrit...” apo se: “...kam lëvizur nga kryeministria...” apo se koordinoj projektin “La Mama” të lançuar nga kryeministri Rama...” apo “...herë se jam gazetarë e lirë...” dhe procedura të tjera të lidhura me financat.

Në lidhje me projektin e quajtur "La Mama", Ina Çelaj deklaroi në polici se nuk ka ekzistuar asnjë projekt i tillë dhe se ajo nuk është prezantuar ndonjëherë me këtë emërtim.

Sipas saj, personat e përfshirë kanë qenë qytetarë të interesuar për përfitimin e banesave sociale apo dëmshpërblimeve për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti.

Ina Çekaj, pohoi se rreth muajit qershor të vitit 2024 është kontaktuar nëpërmjet B. Sena, i cili e ka prezantuar me Xh. Seferi. Më tej, sipas saj, nëpërmjet këtij të fundit janë afruar edhe persona të tjerë me problematika të lidhura me dëmtimet nga tërmeti dhe nevojën për përfitim banese ose dëmshpërblimi.

Deklaroi se ndër personat me të cilët ka pasur komunikime lidhur me këto çështje përfshihen A.Shabani, I. Shabani, A. Shabani, A. Kulla, N. Xhija, L. Sana, D. Tufa, G. Seferi, Xh. Seferi, Dh. Metaj, S. Metaj, S. Metaj, G. Kastrati, L. Balliu, Sh. Balliu, R. Karaj, G. Karaj, M. Baloshi, J. Baloshi, A. Baloshi, G. Tahiri, B. Hysa, N. Balluku, T. Leka, L. Hoxha dhe B. Hoxha.

Në lidhje me B. Sena, Ina Çekaj ka pohuar se e njeh që prej vitit 2017, kohë kur ka punuar si koordinatore pranë zyrës së vëllait të tij, F. Sena, i cili sipas saj administronte një agjenci private investigimi me emrin "Stop Krimi".

Ndërkohë policia e ka pyetur Ina Çekaj se si do të ndihmonte qytetarët për përfitimin e banesave ose dëmshpërblimeve, e arrestuara pohoi se kishte një person të njohur pranë Entit Kombëtar të Banesave, me të cilin do të komunikonte për t'i ndihmuar këta banorë.

Këtë person të njohur të saj, ajo nuk pranoi ta tregojë para oficerëve të policisë.E pyetur nëse mund të përmendë persona që sipas saj kishin përfituar banesa ose dëmshpërblime falë ndërhyrjes së saj, deklaroi se ndër ta ishin vëllezërit L.Hoxha dhe B. Hoxha, të cilët sipas saj kishin përfituar dëmshpërblim pranë Ministrisë së Financave, por më pas e kishin mohuar këtë fakt dhe e kishin kërcënuar se do ta denonconin në media.

Tashmë ndaj Ina Çekaj është marrë masa e “Arrestit në burg” pasi ndaj saj policia dhe prokuroria ka nisur hetimet për akuzën e “Mashtrimit më shumë se njëherë”.

Poll

MOS HUMB