DURRËS-Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, të arrestuar për dhunën ndaj 18-vjeçarit Genti Nela në Mal të Robit, Golem. Gjyqtari Elvis Sulejmani caktoi masën arrest me burg, me afat 45 ditë, për Florian Habilajn, djali i pronarit të hotelit në Malin e Robit, si edhe për Enold Dragotin, shoku i pronarit që gjithashtu u përfshi në episodin e dhunshëm. Në kërkim vijon të jetë Arbër Habilaj, djali tjetër i pronarit të hotel Flar.
Rasti u raportua mesditën e 29 gushtit kur Melison Nela, xhxaxhi i 18-vjeçarit Genti Nela u arrestua në flagrancë teksa po shkonte i armatosur drejt hotelit. Sipas akuzës, 18-vjeçari kamarier u dhunua pasi kërkoi pagën për punën e kryer në hotel. Dy të arrestuarit akuzohen nga Prokuroria për “plagosje të rëndë me dashje”.
Ndërkohë pas vendimit të gjykatës, avokati i të arrestuarve kundërshtoi akuzën dhe e cilësoi ngjarjen si një sherr të zakonshëm. Sipas tij, ka qenë 18-vjeçari ai që i ka provokuar vëllezërit Habilaj.
"U la me afat 45-ditor për t’u analizuar ekspertiza mjeko-ligjore, që në fakt është farsë, është e stisur. Janë dëmtime të lehta sipërfaqësore, por për të motivuar arrestin u akuzuan për plagosje të rëndë. Është një rrahje e rëndomtë. Një sherr mes të rinjsh. Viktima i ka provokuar, këta i janë kthyer. Kanë pasur një debat verbal, i ka provokuar dhe këta i janë kthyer. Nuk jam shumë i qartë për ngjarjen. Viktima mban qëndrim të ndryshëm nga të arrestuarit. Njëri ka versionin e vet, tjetri të vetin. Se kush është më i besueshmi, do të dalë rrugës. Të bësh sherr askush nuk ka qejf. Janë të zhgënjyer për veprimet. Të dyja palët janë dëmtuar fizikisht, për njërin s’është marrë asnjë vendim, për tjetrin kanë shkuar në ekstrem”,-deklaroi avokati Altin Sinella.