
TIRANË-Shqipëria, një vend i vogël në hartë, por me qëndrime të mëdha në politikën e jashtme, ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me konfliktin e fundit të zhvilluar në Lindjen e Mesme, atë të Izraelit mes Iranit. Por ku qëndron Shqipëria mes këtyre dy vendeve, duke marrë shkas marrëdhëniet strategjike me Izraelin dhe praninë se kampit të muxhahedinëve iranianë (MEK) në Durrës.
MEK është një organizatë me strukturë ushtarake, e cilësuar si “terroriste” nga vetë Irani, por a e vë prania e tyre, Shqipërinë në një risk real për përfshirje indirekte në një konflikt të ri?
Konkretisht në Shqipëri jetojnë prej disa vitesh rreth 2.800 anëtarë të MEK-ut, në një kamp (Kampi Ashraf 3) të ndërtuar posaçërisht për ta në Njësinë Administrative Manzë, në Qarkun e Durrësit. Ardhja e tyre nuk kaloi pa incidente në Shqipëri, nga sulmi kibernetik deri tek tensionet brenda kampit në Manëz. Sot, Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie diplomatike me Iranin. Jo vetëm për shkak të sulmeve kibernetike, por edhe sepse Teherani ka kërcënuar haptazi territorin tonë për shkak të MEK.
Situata aktuale në Shqipëri një javë nga konflikti Izrael-Iran
Alarmi për Shqipërinë, u ngrit kur një ditë para nisjes së konfliktit, ku në rrjet qarkulloi një video e muxhahidinëve të Manzës, ku paralajmëronin se Izraeli do të sulmonte Iranin. Video me AI, paralajmëronte saktësisht objektivat e goditura. Por pamjet ishin thjesht një spekulim i rrjetit. Shefi i Antiterrorit, Alban Dautaj, deklaroi për ZËRI se situata në kamp është e qetë dhe janë në gadishmëri, teksa theksoi se videot në rrjet janë spekulime.
“Situata është e qetë. Jemi në monitorim të kampit gjatë gjithë kohës, alerti për atë zonë është i perhershëm, e aq më tepër tani në këtë situatë kërcënimi global”-tha Dautaj.
Por pse MEK shikohet si një kërcënim? Çfarë është MEK dhe si u strehua në Shqipëri?
Vendosja e muxhahedinëve në Shqipëri daton në vitin 2012, kur qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Sali Berisha pranoi kërkesën e qeverisë amerikane për të pritur rreth 210 muxhahedinë të MEK. Qeveria amerikane duhej t’i shpërngulte nga baza e saj ushtarake në Irak, pas tërheqjes nga ky vend. Më tej, në 2014-ën, qeveria me kryeministër Edi Ramën, pranoi strehimin e qindra muxhahedinëve të tjerë, të cilët kanë mbërritur në vazhdimësi që atëherë në grupe të ndryshme.
Më shkurt 2016 në Shqipëri mbërritën, nga kampi i tyre në Irak, 22 muxhahedinë, duke e çuar numrin total të muxhahedinëve të strehuar në vendin tonë në rreth 750. Por gjithësej në Shqipëri deri më tani janë strehuar në Shqipëri rreth 3000 muxhahedinë. MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin.
Incidentet në Shqipëri
Një sulm kibernetik në 2022 do të vendoste fundin e marrëdhënieve diplomatike të Iranit me Shqipërinë.
Sulmi kibernetik i Homeland Justice
Shqipëria u përball me një sulm kibernetik, i cili gjunjëzoi komplet shtetin shqiptarë. Sulmi ka ardhur nga Humëland Justice, organizatë e mbështetur nga Irani. Fillimisht janë sulmuar të gjitha sistemet me të dhënat e qytetarëve në vend, duke nisur nga aplikacioni e-Albania, ku ndodhen çdo rekord i qytetarëve që nga dokumentet mjekësore, të dhënat civile e deri çdo informacion sensitiv i shtetit shqiptarë. Po ashtu sulmi kibernetik vazhdoi duke bllokuar sistemin TIMS dhe deri te të dhënat e AKSH-it. Sipas informacioneve dhe të dhënave nga organizatat botërore si dhe DASH-i, dolën në përfundimin që ky sulm është bërë nga Irani. Pas kësaj, qeveria shqiptare mori vendimin për të larguar komplet ambasadën dhe punonjësit iranian nga Shqipëria.
Por një vit më vonë rreziku do të vijonte…Në 2023, aksion i SPAK në kampin e MEK, kundër terrorizmit e sulmeve kibernetike do të sillte dhe një viktimë
Një kërkim për persona të dyshuar si "të infiltruar të regjimit të Iranit" do të nxiste gjithçka! Me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, mijëra forca të policisë ndërhynë për të ushtruar kontrolle në këtë kamp. Muxhahedinët kundërshtuan ndërhyrjen e policisë, duke bërë rezistencë dhe çuar kështu në një konfrontim mes të dyja palëve dhe përdorimin e gazit lotësjellës nga ana e uniformave blu. Një person humbi jetën, pasi banorët aty u akuzuan për komplot sulmesh kibernetike kundër qeverisë shqiptare. Banorët e kampit pretenduan se ai u vra nga Policia shqiptare, por ekspertiza nxorri se në fakt kishte ndërruar jetë nga arresti kardiak. Pas përplasjes së 20 qershorit, më shumë se një javë më vonë, Policia shqiptare hyri përsëri në kampin Ashraf-3 dhe forcat e sigurisë u vendosën në hyrje të kampit dhe kontrolluan të gjitha automjetet që dilnin nga vendi. Gjithsej u sekuestruan 150 pajisje kompjuterike, që dyshohet se janë të lidhura me aktivitete terroriste.
Por incidentet datojnë vite më herët
Në gusht të 2018, u raportua se pjesëtarë të këtij komuniteti kishin dhunuar një grup xhirimi britanik, që po filmonte kampin e Manzës nga jashtë rrethimit të tij.
Përplasja u konfirmua nga vetë MEK përmes një deklarate publike.
“Të premten, më 10 gusht, 2018, një ekip televiziv me tre persona, në mënyrë të fshehtë e pa njoftim paraprak, filmoi dhe fotografoi brenda vendbanimit të anëtarëve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK), refugjatë në Shqipëri, nga një vend ngjitur. Agjentë vendas shqiptarë të sigurisë, të cilët e pikasën këtë akt të dyshimtë e të jashtëligjshëm i kërkuan të mos filmonin dhe t’ua dorëzonin filmimet. Por anëtarët e ekipit, të cilët u prezantuan si britanikë që punojnë për televizionin britanik Channel 4 TV, e shpërfillën këtë kërkesë dhe vazhduan punën derisa erdhi policia shqiptare dhe i shoqëroi për në rajonin e policisë”, thuhej në komunikatë.
MEK e justifikonte këtë reagim të anëtarëve të saj me faktin se filmimet e kampeve dhe të anëtarëve të saj përfundojnë më pas në zyrat e Ministrisë iraniane të Inteligjencës, që i përdor më vonë për të denigruar muxhahedinët dhe kauzën e tyre për një Iran të lirë.
Duke marrë shkak nga incidentet ndër vite a është Shqipëria sërish në rrezik? Shqipëria vet nuk ka asnjë kapacitet për mbrojtje, por mbështet mbi sistemin e paralajmërimit të hershëm që kanë SHBA dhe Britania e madhe që lajërmojnë për raketa./ZËRI