
TIRANË- Zbulohen detaje të reja lidhur me aksionin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në banesën e motrave, Alda dhe Xhovana Nikolli. Kontrolli në banesën e tyre është ushtruar 2 ditë më parë në qytetin e Elbasanit, ku motrat dhe familja e tyre janë shpërngulur për të jetuar. Sipas “News24”, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të SPAK kishin nisur vëzhgimin e motrave dhe të atit të tyre.
Në një moment kur ato hipën në një makinë "BMW X1", që drejtohej nga babai i tyre, forcat e Policisë iu prenë rrugën dhe informuan ata se ka një urdhër gjykate për kontrolluar banesën. Pas ndalimit nga forcat e Policisë, dy motrave dhe babait të tyre iu sekuestrua celulari dhe u shoqëruan në banesë, ku edhe u ushtrua kontrolli. Por vetë Xhovana Nikolli pretendon se agjentët nuk kishin urdhër kontrolli për t'u futur në banesën e tyre. Duke ripostuar një video të "ZËRI-t", Xhovana thotë se SPAK ka sekuestruar sende private pa urdhër gjykate. Ajo shprehet se Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar edhe telefonin e prindërve të saj.
Alda dhe Xhovana Nikolli dyshohet të kenë stisur sulmin me tritol të ndodhur më 13 korrik 2024, që i mori jetën fqinjit të tyre, Enea Thomarai. Hetuesit e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zbarkuan një ditë më parë në banesën ku motrat Nikolli kanë jetuar me qira në Elbasan dhe ushtruan kontroll të prani të pronarit të apartamentit. Ajo që dihet për këtë ngjarje është se kamerat kanë pikasur një person që afrohet me biçikletë, lë lëndën plasëse dhe më pas largohet. Ai është një person me precedentë penalë, është identifikuar nga autoritetet, por ende nuk është prangosur dhe mungesa e dëshmisë së tij e ka lënë këtë çështje pa një autor.
Gjatë kohës së kësaj ngjarjeje, njëra nga motrat, Alda Nikolli ka akuzuar të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani si autor. Këtë gjë, ajo e tha në një intervistë për Top Channel dhe në daljet e drejtpërdrejta që ka bërë në “Tik Tok”. Alda Nikolli rrëfente se me Nuredin Dumanin kishte pasur një raport intim që nuk kishte përfunduar mirë dhe ai e kishte kërcënuar, arsye për të cilën ajo kishte krijuar bindjen se më pas ai i ka vendosur sasinë e tritolit në derën e banesës.
Ndërsa motra tjetër, Xhovana Nikolli është e dashura e Amarildo Xhanejt (Nikolli) që u vu në pranga në Vlorë, pasi dyshohet se kishte shkuar të vriste Inez Hajrullën. Pas arrestimit, Amarildo Xhanej u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe u dënua nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 9 muaj burg për armëmbajtje pa leje në kuadër të grupit kriminal./ZËRI