
TIRANË- Ditën e sotme, mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të falur Namazin, por shumë prej tyre e humbën ceremoninë. Sipas qytetarëve, ata nuk mund të arrinin në kohë për shkak të ndryshimit të papritur për kohën e nisjes së ceremonisë. Qytetarët, kanë komentuar të revoltuar ndaj këtij ndryshimi në rrjetin social “Facebook” të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Qytetarët e kanë quajtur këtë një akt të shëmtuar dhe të papërgjegjshëm ndaj mijëra besimtarëve që nuk mundën të ndjekin dot ceremoninë. Në disa komente, ata kanë kërkuar që personat përgjegjës të japin dorëheqje për këtë incident.
Komentet në postimin e KMSH:
“Postimet në rrjete sociale i qani! Largohuni nga institucioni i komunitetit më të madh dhe më të shtrenjtë të vendit tonë! Të paaftë dhe të paturp!”
"Ju muloft turpi sa të keni jetën!"
"Skandal, turp tju vije dhe Zoti ju gjykofte per kete qe keni bere sot. Nuk arritem ta falnim dot. Turp sakrifikuam muajin dhe morem mbrapsht kete paturpesi. Dikush te mbaj pergjegjesi e te japi doreheqje"
"Pse e falet me heret, turp i madh as me organizu nuk dini, turp i madh nuk respektuat besimtaret per sakrificen qe ben nje muaj"
"Sa rremuje ka qene sot. Mezi kapem namazin. Ska bere vaki si asnjehere. As shtresa namazi lere qe Zeri sdegjohej fare ne fund."
"Gratë i latë pa namaz! Filluat herët dhe audio skandal."
“ndonjë kërkim falje për gafën që bëtë? apo çe deshe. turp të keni.”
“Vete lajmeruat ne 7 :30 e falet me shpejt 7:15”
“Per ca ishte ky nxitim me u fal 15 minuta para?”
Pas kësaj, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, KMSH, duke iu kërkuar falje qytetarëve për këtë incident. KMSH e pranoi gabim duke thënë se kjo ndodhi si pasojë e një problemi teknik komunikimi. Përmes deklaratës së saj, KMSH shprehet se në histori ka ndodhur shumë herë që një pjesë e besimtarëve të mos arrijnë faljen e namazit të bajramit. Më tej, Komuniteti Mysliman Shqiptar udhëzon qytetarët që nuk arritën të falin namazin, si të veprojnë.
“Reagim mbi shqetësimin e besimtarëve në lidhje me faljen e Namazit të Bajramit në Sheshin Skënderbej. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke marrë përsipër përgjegjësinë për moszbatimin e orarit të faljes së namazit të bajramit në mënyrë konçize sipas lajmërimit të bërë më parë, ndan shqetësimet mëse me vend të besimtarëve. Kjo është një ngjarje që ka ndodhur për herë të parë në organizimin e bajramit, e cila u shkaktua për arsye teknike të komunikimit në Sheshin Skënderbej. Krahas kësaj shprehim sqarimin e mëposhtëm se si të veprojnë besimtarët në këtë rast.
Në histori ka ndodhur shumë herë që një pjesë e besimtarëve të mos arrijnë faljen e namazit të bajramit. Kjo ka ndodhur edhe në kohën e Profetit (s.a.s), ku Enes b. Malik (r.a) nuk e ka arritur faljen e namazit të bajramit. Profeti (a.s) i ka treguar atij që ta falë namazin në shtëpi individualisht ose kolektivisht së bashku me familjen e tij, pa mbajtur hytbe. Dhe Enes b. Malik (r.a) e ka falur namazin e bajramit së bashku me familjen e tij. Shumica e juristëve bazuar në këtë transmetim “hasen” të gjendur në veprën el-Musannef i Ibn Ebu Shejbe dhe mendimit që ndajnë Ibn Abbas, Ibn Mes’ud dhe Ali Ibn Ebu Talib (r.a), kanë shprehur se kush nuk ka arritur ta falë namazin e bajramit me bashkësinë e bësimtarëve, mund ta falë atë, në formën tradicionale, individualisht ose së bashku me familjarët. Çdo besimtar që nuk ka arritur të falë namazin e bajramit ditën e sotme, mund ta kryejë atë ashtu siç ka vepruar Enes b. Malik (r.a), ditën e parë të bajramit ose ditën e dytë në kohën e paradites, duke nisur tek rreth 30 minuta pas lindjes së diellit deri rreth 30 minuta para se të hyjë vakti i drekës.
Duke shprehur ndjesën tonë për rastin në fjalë, kërkojmë mirëkuptimin tuaj të vyer. Ju urojmë edhe një herë Gëzuar Festën e Fitër Bajramit!”, thuhet në reagim./ZËRI