
TIRANË- Ish-zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agron Kuliçaj është thirrur sot në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. Pasi doli nga ambientet e SPAK, ai tha se iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë si një person në dijeni të veprimtarisë së Policisë më 21 janar, për shkak të detyrës së tij.
“Dhash deklarimet e mia në raport lidhur me rrethanat e hetimit në lidhje me funksionet që kam kryer në atë përiudhë dhe me të cilat Prokuroria e Posaçme po organizon hetimet për ngjarjen e 21 Janarit. Dhashë shpjegimet e mia për të gjitha pyetjet që më janë bërë për veprimet e policisë në ditën e ngjarjes. Për më tepër nuk mund të flas për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor”, tha Kuliçaj.
Ndërsa, një ditë më parë u paraqit në SPAK, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit.
Pasi doli nga ambientetet e Prokurorisë së Posaçme, Burgaj tha se u pyet si person në dijeni pasi ka mbajtur postin e kryepolicit të vendit. Burgaj tha se gjatë protestës, Policia ka duruar dhunë ekstreme dhe nuk ka përdorur as armë e as forcë ndaj protestuesve.
“U pyeta si person që ka dijeni në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit, kur kam drejtuar Policinë e Shtetit. Deklarova ato që di për 21 Janarin. Policia e Shtetit ka bërë një plan të detajuar masash për 21 Janarin dhe ka zbatuar masat e sigurisë. U pyeta për bashkëpunimin me institucionet e tjera. Policia ka duruar dhunë ekstreme dhe nuk ka përdorur as armë e as dhunë ndaj protestuesve,”- tha Burgaj.
Burgaj, i cili ka pasur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e situatës në atë kohë, është pyetur për detajet e veprimeve dhe vendimeve të marra nga forcat e rendit gjatë protestës, ku katër persona humbën jetën si pasojë e përleshjeve me Policinë. /ZËRI