Aktualitet

SPAK kërkon 5 vite burg, Bllako: Mungesa ime po rëndon gjendjen shëndetësore të fëmijës tim

Megjithatë, ish-deputeti socialist do të përfitojë gjykim të shkurtuar. Nëse dënohet me 5 vite burg, ëprmes gjykimit të shkurtuar, Bllako do të vuajë 3.4 vite burg. 

zh.ll
SPAK kërkon 5 vite burg, Bllako: Mungesa ime po rëndon gjendjen
alqi bllako

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkon 5 vite burg për korrupsion në 2 raste për Alqi Bllakon, i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar që Bllako të shpallet fajtor për korrupsion pasiv në dy raste.

Megjithatë, ish-deputeti socialist do të përfitojë gjykim të shkurtuar. Nëse dënohet me 5 vite burg, ëprmes gjykimit të shkurtuar, Bllako do të vuajë 3.4 vite burg. Gjithashtu, Bllako kërkohet të pezullohet nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh. Për Bllakon kjo është hera e dytë që jepet pretencë për inceneratorin e Tiranës, pasi apeli i GJKKO e riktheu për rigjykim në shkallën e parë. Në vendimin e parë që u prish Bllako ishte dënuar me 4 vite burg që zbriste ne 2.8 per shkak te gjykimit te shkurtuar.

Ndërkohë, Bllako gjatë fjalës së tij në gjyq ka kërkuar të shpallet i pafajshëm, ndërsa ka shtuar se mungesa e tij po ndikon në gjendjen shëndetësore të fëmijës. Lidhur me akuzat, Bllako shprehet se janë ngritur pa asnjë analizë të saktë. 

“Në vendimin e arsyetuar nuk gjenden veprimet e mia të ligjshme apo të paligjshme si Sekretar i Përgjithshëm. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka rol në përcaktimin e kontratës së koncesionit; këtë të drejtë për hartimin dhe zhvillimin e saj e kanë vetëm anëtarët e komisionit të koncesionit. Akuzat për korrupsion pasiv janë ngritur ndaj meje pa kryer asnjë analizë të saktë. Klodian Zoto ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me anëtarët dhe kryetarët e komisionit. Kur u krye vlerësimi i ofertuesve dhe shpallja e fituesit të koncesionit, unë nuk isha në detyrë si Sekretar i Përgjithshëm. Nuk ka pasur asnjë urdhër nga ministri që të mbikëqyrja projektin. Sa i përket punësimit të zotit Bezhani pranë kompanisë së Klodian Zotos, në momentin kur ai filloi punë në nëntor, nuk kishte lidhur kontratë me inceneratorin e Elbasanit apo Fierit. Nuk kam asnjë lidhje me zotin Bezhani; kur unë fillova punën në këtë ministri, ai ishte aty.”

Ndërsa mbrojtësit e ish-deputetit kanë argumentuar Alqi Bllako nuk ka pasur asnjë ndikim apo rol në vendimmarrjen për inceneratorin e Tiranës. Sipas tyre, Bllako ka funksionuar si kancelari i gjykatës, duke përcjellë vendimet tek palët, por pa përgjegjësi për përmbajtjen e tyre. 

“Në procedurën për inceneratorin e Tiranës, deri në krijimin e idesë dhe nënshkrimin e kontratës, janë zhvilluar 15 mbledhje dhe janë përpiluar 16 procesverbale. Autori i kontratës ishte ministri dhe anëtarët e komisionit të koncesionit, duke përfshirë dy përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe përfaqësues të Bashkisë; emri i Alqi Bllakos nuk figuron në asnjë rast. Për efekt të detyrës, Bllako ka përcjellë tre shkresa, ndërsa vendimmarrjet më të rëndësishme kanë nisur pas mbledhjes së 11-të. Ai ka bërë të ditur gjykatës se pas mbledhjes së 11-të nuk ka qenë pjesë e Ministrisë, por në Presidencë. Alqi Bllako ka funksionuar si kancelari i gjykatës, duke përcjellë vendimet tek palët, por pa përgjegjësi për përmbajtjen e tyre. Ai nuk ka pasur rol vendimmarrës në çështjen e inceneratorit të Tiranës”, thotë pala mbrojtëse.

Bllako akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste. Pas hetimeve të kryerja lidhur me çështjen, SPAK ka dalë në përfundimin se Bllako ka kryer veprime të kundraligjshme në kohën kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Në seancën e sotme, SPAK ka paraqitur 37 fashikuj vetëm për Bllakon, ku pretendon se ka përfituar 120 mijë euro përmes kompanisë së babait të tij, por edhe 7 milion e 520 mijë lekë nga Vladimir Bezhani, nga shoqëria koncesionare për ndërtimin e inceneratorit.

Ish-deputeti i ka propozuar Bezhanit që të ofronte konsulencë juridike për çështjen e inceneratorit të Tiranës, para se të bëhej propozimi i pakërkuar në lidhje me këtë çështje. Duke qenë se vendimi për gjykimin u mor, GJKKO kërkoi nga palët për të dalë në konkluzionet përfundimtare, por SPAK ka kërkuar më shumë kohë për pretencën.Ndaj edhe seanca e radhës është lënë për në datën 29 janar.

Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.

Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Në dhjetor 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako. Pjesa tjetër e personave që u akuzuan janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit.

Sipas SPAK, grupi kriminal, pjesë e të cilit janë shqiptarë dhe të huaj, ka pastruar 20 milionë euro pasuri nga momenti i lidhjes së kontratës dhe në vazhdimësi. Më tej bëhet me dije se janë caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe për 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts. Në krye të grupit kriminal, qëndrojnë shtetasit Klodian Zotaj dhe Mirel Mërtiri, ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit është në qeli prej gati 2 vitesh, pasi është dënuar me 2 vite e 8 për inceneratorin e Fierit, por po ashtu po gjykohet edhe inceneratorin e Tiranës, ndërsa për inceneratorin e Elbasanit, Bllako gjithashtu është lënë në burg për të njëjtën periudhë kohe./ZËRI

Poll

MOS HUMB