
TIRANË-Gjykata e Posaçme hapi shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës. Gjykata pranoi kërkesën e 8 të pandehurve për zhvillimin e procesit me procedurën e gjykimi të shkurtuar, përfshi edhe kërkesën e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Të panderhut ndaj të cilëve u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar: Lefter Koka, Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku dhe Jetmir Llapaj.
Për të pandehurit Etleva Kondi, Alba Thoma, Pëllumb Abeshi dhe Silena Tola çështja u veçua për një gjykim të zakonshëm.
12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Lefter Koka u shpall fajtor dhe u dënua me 10 vite burg, por do të vuajë vetëm 6 vite e 8 muaj. Ish-ministrit të Mjedisit iu konfiskuan edhe aksionet në kantinën e pijeve që janë në vlerën 3.7 milion euro, vlerë e njëjtë me korrupsionin e kryer prej tij.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës./ZËRI