
TIRANË- Ditën e sotme në hapjen e Xhamisë së Namazgjasë nuk munguan as fjalimet e dy liderëve, fjalimi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe presidentit turk Erdogan.
Rama gjatë fjalimit i shprehu falenderimet e tij homologut turk i cili ndihmoi në ndërtimin e xhamisë. Ai e mbylli fjalën e tij duke përmendur flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit.
Ndërsa presidenti turk Erdogan u zgjat pak më shumë në fjalën e tij duke prekur jo vetëm rëndësinë e kësaj xhamie por edhe luftën që po ndodh në Izrael. Ai theksoi se Xhamia e Namazgjasë që u inuagurua është më e madhja në Ballkan dhe se do të shërbejë për 10 mijë besimtarë.
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama:
Fort i nderuar dhe shumë i shtrenjti mik im presidenti Erdogan. Shumë e nderuara zonja Erdogan. Fort të nderuar klerik, të dashur miq. Fort të respektuar besimtarë. Ja ku erdhi dita e çeljes së këtij tempulli të krijuar adhurimi kaq i pritur nga komuniteti mysliman ndër vite. Kjo faltore që frymon nga një besim universal është trashëgimia e një populli të tërë që mishëron që profeti tha.
Ky sihariq i veçantë i përurimit, fryt i përpjekjeve të bashkëkombasve tanë të besimit islam dhe dashamirësisë së vëllezërve nga Turqia më çon pas në 14 nëntor 2014, 10 vite më parë kur fillesën e kësaj pune të bekuar e pata quajtur si çlirimi i Namazgjasë. Nuk e harroj dot se sa vullnet i mirë duhej për të pastruar truallin e Namazgjasë të bërë shesh pazari të imponuara në hapësirën e lutjeve shpresës dhe nevojës për ta pasur ata tempullin e tyre në kryeqytet njësoj si bashkëkombasit e besimit katolikë, ortodoksë dhe bektashi.
Ka qenë për mua çështje nderi që xhamia e madhe të hynte e pastër në jetën e besimit si objekt kulti në këtë vend ku tempujt mishërojnë harmoninë fetare dhe njerëzit bashkëjetojnë siç tha Papa Françesku tha kur erdhi në Shqipëri jo në harmoni por në vëllazëri fetare. Dhe ja sot pas plot 10 vjetësh xhamia hyn në sofrën e kësaj vëllazërie si ilustrim i besimit dhe i një ajeti prej 6 syresh të Kuranit që me dashuri na dhuroi një hafiz i madh tiranasi Haxhi Hafiz Ibrahim Dalliu.
Si çdo faltore ku gjen paqe çdo shqiptar kjo xhami e Namazgjasë është një vend i shenjtë. E këtij vendi nuk mund ti këndohet më mirë se në shqipen e Hafiz Ibrahim Dalliut. Qoftë me jetë kjo faltore, vend i sigurt për gjithë fëmijët e Ibrahimit. Le të hyjmë sot këtu me këmbën e mbarë. Le të mbetet në kohë të kohëve sihariq i madh gëzimi.
Faleminderit dhe mirënjohje president i Turqisë miku im. Në këtë shtëpinë tonë të vogël ku ka banesa të shumta për përkushtimin tënd vëllazëror duke u bërë thirrje zëri i tyre. I dha myslimanëve mjetet e nevojshme për ndërtimin e xhamisë. E cila do flas për lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve. Qoftë e mbarë edhe për myftiun Bilal Teqja, u priftë e mbara të gjithë besimtarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe e drejtoftë në majën ku duam, të ngjisim flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit.
Fjala e plotë e presidentit Erdogan:
Më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht me ndjenjat e mia më të përzemërta. Sot jam veçanërisht shumë entuziast dhe shumë i lumtur që jam këtu, së bashku me juve. Dhe për këtë arsye gjithsecilin nga ju dua ta falënderoj për këtë emocion që më dhuruat. Personalisht jam shumë me fat sot që ndodhem në këtë ambient shumë të shenjtë dhe për këtë arsye i lutem Allahut që xhamia e Namazgjasë, më e madhja në Ballkan, që u nis më 2015, të sjellë dobi për gjithë myslimanët mbarë në Ballkan.
Dëshiroj të shpreh konsideratën, mirënjohjen time dhe falënderimet e mia më të thella, veçanërisht mikun tim, Kryeministrin Edi Rama, që dha ndihmën e tij përgjatë procesit të ndërtimit të xhamisë të ndërtuar me kontributet e Turqisë, dua të falënderoj edhe shqiptarët që kanë kontribuar sadopak në realizimin e kësaj vepre madhështore. Xhamia e Namazgjasë, një xhami me e madhja në Ballkan, që tashmë do zëri vendin e saj në kujtimet tona, që i kanë rrënjët të thella, duke tejkaluar 6 shekuj. Xhaminë e madhe të Namazgjasë e kemi projektuar si një strukturë, e cila në brendësinë e saj transmeton si traditat në të ardhmen, edhe në të lashtësisë e historisë tonë dhe deri tek teknologjia e kohës së sotme, siç e shikoni ndërthuret edhe arkitektura osmane islame.
Kjo xhami, e cila është ndërtuar në mbi 10 mijë metra katrorë, do i shërbejë 10 mijë besimtarëve myslimanë që do e falin namazin. Xhamia e Namazgjasë është ndërtuar jo vetëm si një objekt kulti, si një objekt adhurimi, por është menduar akoma me e gjerë, multifunksionale, që do i shërbejë besimtarëve në çdo aspekt, atë social, ku ka bibliotekë, salla studimi dhe ashensorë për ata që janë me aftësi të kufizuara. Dhe ne kështu synojmë të pasqyrojmë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë nën moton e bashkëjetesës së kulturës së dy vendeve, dy kulturave që ndodhen brenda kompleksit të xhamisë së Namazgjasë. Dhe njëkohësisht duhet të shprehem këtu se xhamia e Namazgjasë do jetë simboli miqësisë vëllazërisë dhe solidaritetit mes nesh.
Dhe një herë këtu në mesin tuaj dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë vepër kaq madhështore, që do mahnisë të gjithë ata që do e shikojnë, sidomos me qetësi shpirtërore dhe integritetit të brendshëm, për një vepër kaq të paprecedentë Dua të theksoj një fakt këtu, se prioriteti ynë është të thellojmë akoma më tutje marrëdhëniet tona raportet miqësore vëllazërore me Shqipëria, meqë e kemi detyrim që buron nga raportet e mira të vëllazërisë, që buron nga sinqeriteti. Janë dy kombe të cilat, janë dy popuj të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur njëri-tjetrin, në çdo rast fatkeqësish dhe i kanë qëndruar njëri-tjetrit në çdo rast në krah. Dhe së fundmi solidariteti i treguar nga popull turk e shqiptar gjatë tërmeteve në vendet tona, ka dhënë shembull konkret për mbarë komunitetin mbarëkombëtar.
Njëra nga veprat më bazike të këtij solidariteti të sinqertë vëllazëror mes vendeve tona ka qenë spitali i miqësisë Shqipëri-Turqi në Fier dhe rezidencat dhe shtëpitë e ndërtuara në qytetin e Laçit. Dhe dëshiroj të theksoj faktin se, përsa kohë do vazhdojmë kështu me këtë raport miqësor vëllazëror, do vazhdojmë t’i qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë.
Të dashur motra dhe vëllezërit e mi shqiptarë, në qytetërimi dhe mendimi islam ekziston në zemrën e jetës dhe qendrën e civilizimit dhe themelet e qytetërimit. Njëkohësisht xhamitë janë vende të shenjta, ku reflektohen vlerat shpirtërore dhe që burojnë nga zemra, për të cilat lavdërohen nga shoqëria dhe vëllazëria dhe nxisin bashkëpunimin dhe solidaritetin, duke mbajtur të gjatë unitetin e kësaj xhamie edhe në praktikë. Njëkohësisht xhamitë nuk janë vetëm vende ku thirret ezani me zë të lartë apo vende vetëm për t’u adhuruar po të thirrur njerëzimin në monoteizëm, në mirësi, në adhurimin e Allahut në një të vetëm dhe të bashkojë myslimanet në kupolën e vetme.
Kjo është feja jonë e madhe, e cila në një farë mënyre na imponon detyrën neve si myslimanë, që jo vetëm t’i ndërtojmë xhamitë, por t’u dalim zot dhe t’i mbrojmë ato. Njësoj sikur sot, që po ndërtojmë dhe po hapim xhami, duhet të përpiqemi edhe në të ardhmen që të gjithë së bashku t’i mbajmë këto vlera që na ofron xhamia, e t’i mbajmë gjallë mes nesh. Ne nuk duhet të shkëputemi për asnjë moment nga feja islame, nga feja e paqes dhe nuk duhet t’ia lëmë bosh atyre grupeve a qarqeve, që ushqejnë interesat e tyre dhe për qëllimet e tyre personale.
Pra kjo është detyra e çdo myslimani, që e ka vetëdije dhe e ka ndërgjegje, kështu që xhamia e Namazgjasë është e vëllezërve tanë myslimanë, me zemër dhe ndërgjegje të pastër. Turqia do vazhdojë të qëndrojë pranë të gjithë atyre që kanë nevojë dhe ju përcjell mbështetjen të gjithë atyre që janë sot këtu.
Të dashura motra dhe vëllezër e mi shqiptarë, siç e dini ka kaluar një vit nga fillimi i gjenocidit nga Izraeli në Gaza dhe në territoret e saj të pushtuara në territoret palestineze. Janë 50 mijë vëllezër tanë palestinezë që kanë rënë shehit dhe 100 mijë plagosur, janë bombarduar xhami, sheshe, shtëpi, universitete, spitale, tregu i punës ku ata ushqeheshin. Sulmet e Izraelit vazhdojnë ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve, minorenëve dhe tani Izraeli e ka çuar politiken e tij agresive sulmuese barbare, në drejtim të Libanit. Është një detyrim i moralit, i ndërgjegjes tonë njerëzore për të gjithë ata që ndjejnë, kanë zemra, që të qëndrojnë kundër terrorizmit shtetëror të Izraelit në Palestinë.
Netanyahu dhe Izraeli s’ka ndër mend të vendosë paqen në rajon dhe së fundmi e tregoi qartazi me sulmin ndaj Libanit. Të dashur vëllezër e motra, edhe një herë i bëj thirrje komitetit ndërkombëtar nga ky vend i shenjtë, edhe një herë ndaj myslimanëve, të kemi mirësi e ndërgjegje, e të mbajmë qëndrim të përbashkët.
I lutem Allahut, të gjitha adhurimet dhe lutjet të pranohen te i madhi Zot! Xhamia jonë e Namazgjas të jetë e hajrit, të sjellë dobi për myslimanët e gjithë Ballkanit, me ndjenjat e mia me të përzemërta, me konsideratë dhe me dashuri.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi sot një vizitë në Tiranë për të inauguruar hapjen e xhamisë së Namazgjasë. Erdogan mbërriti në vendin tonë, rreth orës 11:00. Erdogan fillimisht zhvilloi një takim me presidentin e vendit tonë, Bajram Begaj dhe më pas me kryeministrin Edi Rama. Me këtë të fundit zhvilloi edhe një mbledhje dhe një konferencë për shtyp./ ZËRI