
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën për "gjykim të shkurtuar" për 3 persona e marrë të pandehur për dosjen e Plumbit të Artë. Agim Gjini, Elvis Koçi dhe Ilirian Feçi përfituan gjykim të shkurtuar, ndërsa kërkesa e njëjtë për gjykim të shkurtuar u rrëzua nga të pandehurit e tjerë. Seanca e radhës do mbahet më 17 tetor.
Kujt iu lehtësua dënimi?
Agim Gjini u zbulua nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani. Ky i fundit tha se Dorjan Shkoza u kishte dhënë informacion se një person, i identifikuar si Astrit Ademi, mbante shumë para në një çantë gri. Dumani thotë se ai, Talo Çela, Agim Gjini dhe një tjetër person kishin thyer xhamin e makinës, kishin marrë rreth 20 mijë euro dhe ishin larguar. Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ilirjan Feçi, po ashtu u zbulua nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani dhe së fundmi është përmendur nga vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj. Me këta të fundit kontaktoi për të kryer vrasjen e Arben Manecit dhe Geron Hasanbelliut në emër të Kasandro Nogës. Feçi akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Më datë 17.08.2021, në Fushë Kuqe, autorët e dyshuar, Ibrahim Difaj dhe Ilirian Feçi kundrejt pagesës 20.000 euro, të bërë nga Robert Laci, kanë tentuar të vrasin Alfred Gjokën nga Kruja.
Elvis Koçi alias (Çaushllari) i njohur ndryshe në Elbasan si “Vis Korçari” është një tjetër emër i njohur i dosjes “Dumani”, që tashmë është liruar nga prokurorët e posaçëm SPAK. Koçi i ka shitur në dy raste sasinë e tritolit Eljo Bitrit, që më pas lënda shpërthyese është vendosur në banesën e Talo Çelës dhe Mustafa Subashit në Durrës. Po ashtu, ka qenë njeriu që ka negociuar takimin mes Dumanit, Bledar Muçës dhe Florenc Çapjas, me qëllim planifikimin e vrasjes kundrejt pagesës të Sokol Sanxhaktarit. Ndaj akuzohet nga SPAK për 3 vepra penale si “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” kryer në bashkëpunim të posaçëm në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i Strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit “Plumbi i artë” i zhvilluar disa vite më parë u lëshuan 32 masa sigurie, ku 9 prej tyre u ekzekutuan në burgje, 9 persona u arrestuan ndërsa 14 të tjerë u shpallën në kërkim. Kjo shifër me kalimin e kohës ka ndryshuar me më shumë të arrestuar. E gjitha nisi pas dëshmive që dha një nga personazhet më të njohur të botës së krimit; Nuredin Dumani. Ky i fundit ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali./ZËRI