Aktualitet

Gjyqi në themel! Ilir Meta shfaqet për herë të parë në publik pas arrestimit

Ish-presidenti u shfaq me dy gishta lart dhe duke bërë simbolin e shqiponjës nga kafazi prej xhami.

F.I
Gjyqi në themel! Ilir Meta shfaqet për herë të parë
Ilir Meta

TIRANË-Sot mbahet seanca e parë e gjyqit të themelit për ish-presidentin Ilir Meta. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shfaqur në publik për herë të parë që pas arrestimit të tij. Ish-presidenti u shfaq me dy gishta lart dhe duke bërë simbolin e shqiponjës nga kafazi prej xhami. Në seancë ndodhet edhe ish-deputetja Monika Kryemadhi dhe 3 të pandehurit e tjerë. 

Në pamjet nga seanca e GJKKO-së ku po zhvillohet seanca e parë e gjyqit në themel për ish-presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi e të tjerë, kreu i PL dëgjohet teksa thotë se procesi ndaj tij është "i montuar me shpifje dhe kallëzues të rremë kundër shtetit". "Mbaj përgjegjësi për çdo veprim dhe shkelje timen", thotë Meta.

Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.

Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ. 

Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB