TIRANË-Në kuadër të operacionit “Shuma”, Krimi Ekonomik i Tiranës ka arrestuar në Fushë-Krujë 40-vjeçarin Agron Cena, i dyshuar për vjedhjen e një shume prej rreth 100 mijë eurosh në një pikë këmbimi valutor, duke përdorur emrin e biznesmenit Bashkim Ulaj. Gjashtë ditë pas zbulimit të skemës, Policia e Tiranës ka zbuluar se pjesë e grupit ishte edhe Agron Cena, ndërsa në kërkim është ende 31-vjeçari Rigels Hyseni.
"Është identifikuar dhe ndaluar një 40-vjeçar, në kuadër të operacionit policor “Shuma”. Ky shtetas, më datë 22.08.2026, ka marrë, në ambientet e një subjekti të këmbimit valutor në Tiranë, shumën prej 100 000 eurosh, e cila i ishte marrë nëpërmjet mashtrimit një 70-vjeçari,"-thuhet në njoftimin e Policisë.
Arrestimi i tij vjen pas publikimit të fotos në ambjentet e Exchange-it. Rasti i mashtrimit u raportua pasditen e 24 gushtit, ku administrator i një pike këmbimi valutor në Tiranë, 70 vjeç ra pre e një skeme mashtrimi të realizuar përmes inteligjencës artificiale.
31-vjeçari Brian Serica dhe 23-vjeçari Skerdi Meta përmes mesazheve dhe një videocall-i, ku përdorën inteligjencën artificiale për të manipuluar pamjen e biznesmenit Bashkim Ulaj, bindën kambistin se ishte pikërisht Ulaj personi që po i kërkonte shumën e parave prej 100 mijë eurosh.
Komunikimi përmes videos ka zgjatur vetëm disa sekonda, por ka qenë i mjaftueshëm që 70-vjeçari të besonte se po komunikonte me biznesmenin. Më pas, ai ka dorëzuar shumën prej 100 mijë euro personit që i shkoi në Exchange në emër të biznesmenit me premtimin se shuma do t’i kthehej brenda pak orësh. 70-vjeçari ka telefonuar numrin nga i cili ishte kontaktuar, por autorët e kishin bllokuar. Ai ka kontaktuar më pas vetë Bashkim Ulajn, i cili i ka deklaruar se nuk kishte dijeni për kërkesën dhe se nuk kishte komunikuar me të.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe Brian Serica dhe Skerdi Meta, ndërsa Rigels Hyseni është shpallur në kërkim./ZËRI

