
TIRANË- Vrasja e Kristjan Markut duket se ka qenë e planifikuar në momentin e fundit. Këtë e provon fakti që autorët përdorën në mjetin e tyre targa të vjedhura. Ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, këto targa i ishin vjedhur një efektivi policie, i cili jeton në Novoselë, pikërisht ditën kur ka ndodhur ngjarja.
Ky detaj lë të kuptohet se autorët e kanë ditur lëvizjen e Markut drejt qytetit të Vlorës dhe kanë vendosur që të organizohen shpejt, brenda ditës për ta ekzekutuar. Por nuk dihet nëse e kanë ndjekur dhe kanë qëlluar me armë zjarri ndaj tij në momentin e parë që kanë mundur, apo kanë pasur informacion nga një person i afërt me viktimës dhe e kanë pritur në Novoselë.
Por mesa duket edhe i riu ruhej dhe këtë detaj e kanë konfirmuar edhe familjarët e viktimës. Sipas xhaxhait të tij, Kristjan Marku lëvizte vetëm kur ndihej i sigurt. Deklarime ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, me të cilën kishin sjellë në jetë një fëmijë. Ajo zbuloi se të dy qëndronin në Tiranë në apartamente me qira ditore. Po ashtu, shtoi se i shoqi përdorte një makinë me qira, të cilën e kishte marrë fillimisht për tri ditë dhe më pas e kishte shtyrë për dhjetë ditë të tjera.
Të hënën, ditën e vrasjes, Kristian Marku kishte njoftuar bashkëshorten se do të udhëtonte drejt Vlorës, por nuk i kishte zbuluar arsyen e udhëtimit.
Sa i përket pistave të hetimit, xhaxhai i viktimës tha se i vetmi konflikt që familja e tyre kishte ishte me familjen Reçi, por si Saimir dhe Martin Reçi kur u morën në pyetje nga Policia pas ngjarjes mohuan të kishin lidhje me atentatin. Edhe pse familjarët pretendojnë se ngjarja ka lidhur me konfliktin e vjetër mes familjeve, uniformat blu nuk e përjashtojnë edhe të shkuarën problematike të 30-vjeçarit.
Deri tani 3 persona dyshohet se kanë qenë autorët e ekzekutimit të Kristjan Markut i njohur edhe si Kristjan Bardhi. Marku ka marrë tre plumba që i morën jetën në vend. Ndërkohë, makina e përdorur nga autorët për vrasjen e 30-vjeçarit Kristjan Marku në Novoselë është gjetur e djegur rreth 100 metra larg vendngjarjes. 30-vjeçari është nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në Shtator të vitit 2023. Për këtë ngjarje u vu në pranga Martin Bardhi, ndërsa në kërkim u shpallën djali i tij, Enrik Bardhi dhe nipi Kristjan Marku, i cili tashmë është pjesë e listës së gjatë të viktimave të familjes Bardhi./ZËRI