
TORINO- Prokuroria e Torinos ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për autorin e vrasjes së biznesmenit shqiptar Fatmir Ara, Davide Osella Ghena, ndërsa për motrën e tij, Barbara ka kërkuar 22 vite burg, dhe 13 vite për mikun e tyre, Andrea Fagnoni. Seanca e radhës do të mbahet më 22 janar ku pritet që të dëgjohet mbrojtja e të akuzuarve dhe të jepet dënimi ndaj tyre.
Barbara dhe Andrea gjatë hetimeve dhe marrjes në pyetje nuk kanë dhënë asnjë deklaratë, organi të mos japin deklarime. Organi hetues italian arriti në përfundimin se krimi u krye që autori të mos bënte figurë të keqe tek e fejuara dhe vjehrra, për një shumë parash prej 80 mijë eurosh.
Biznesmeni 43-vjeçar Fatmir Ara u kontaktua të kryente disa punime në një objekt që do të shërbente për turizëm të familjes së bashkëshortes së autorit. Prokuroria pretendoi se Ghena, nuk mund ta paguante dot dhe në këtë moment ka nisur të fajësojë shqiptarin, të cilin e fton ta takojë në një zonë malore me pretendimin se do të kryente disa punime. Kur viktima, i cili ishte baba i katër fëmijëve mbërriti në vendtakimin e tyre, ai u vra me armë zjarri. E motra i siguroi çiften me leje Ghenas që e mori nga banesa e të atit, ndërsa miku i tyre i ndihmoi të largoheshin me makinë nga vendi i ngjarjes.
Ara la katër fëmijë jetim, përkatësisht nga 5 deri 18 vjeç dhe familja e tij insistoi deri në fund për drejtësi.
“Nuk e kam vrarë unë. Kam patur persona që më kanë thënë se pse ia dhe punën Fatmirit dhe jo neve,”- pretendonte Davide, por sipas Prokurorisë këto pretendime nuk vërtetohen.
Mirela, e motra e Fatmirit dhe bashkëshorti i saj Ëalter ndoqën çdo seancë gjyqësore dhe pas pretencës së Prokurorisë, kërkuan të pasqyrohet ky proces, për të pastruar imazhin e familjarit të tyre, për të cilin raportohej në 2022 se ishte pjesë e grupeve kriminale apo se ngjarja kishte ardhur si pasojë e precedenteve penale të shqiptarit.
Një përgjigje këtij varianti ia jep përfaqësuesi i Prokurorisë italiane dhe avokatja e viktimës gjatë gjykimit të kësaj çështje.
Prokurori foli me vendosmëri në gjyq, duke ritheksuar se planifikimi i përpiktë i vrasjes së Fatmir Arës, i kryer në bashkëpunim, meriton një përgjigje të ashpër, një dënim që sinjalizon peshën e gjestit dhe rrezikshmërinë e të akuzuarit.
Avokatja e viktimës Celere Spaziante, rrëzoi imazhin e pasqyruar më herët mbi stereotipe që e konsideronin të ndjerin një “hajdut”. Spaziante tha se kërkonte ti kthente dinjitetin Fatmir Arës, “një njeriu që pavarësisht të shkuarës së tij kontroverse, nuk e meritonte të vritej kështu”.
“Fatmir Ara nuk ishte krimineli që përshkruanin. Ai ishte një njeri që punonte shumë, çdo mëngjes, për të garantuar një të ardhme më të mirë për familjen e tij. Ai ishte një baba që i donte fëmijët e tij, aq shumë sa u bënte tatuazh emrat në lëkurën e tij, një njeri që e donte Italinë deri në pikën ku e quajti një nga vajzat 'Fiorentina', që e la në moshën 5 vjeçare, për nder të këtij vendi që i kishte dhënë aq shumë. Ai ishte një njeri me dinjitet të madh, që kishte ndërtuar me vështirësi, një kompani solide, të respektuar në zonën e Canavese, një njeri që po kryente një punë, por që nuk duhej të vdiste në atë mënyrë. Na është dashur të durojmë, duke dëgjuar gënjeshtrat e atyre që u përpoqën të ndërtonin një rrëfim që nuk korrespondon me të vërtetën. 17 orë marrje në pyetje dhe prokurori e humbi kohën duke dëgjuar versione kontradiktore. Sa kohë humbi? Sa dhimbje iu shkaktua një familjeje që tashmë kishte humbur gjithçka?”, tha pala e akuzës.
Avokatja paraqiti edhe një argument të fortë në seancë që kishte të bënte me mënyrën se si u ekzekutua i riu shkodran.
“Davide Osella Ghena e tërhoqi zvarrë mes degëve, e hodhi si një thes plehrash. Një njeri që dha aq shumë, që punoi dhe kontribuoi për komunitetin, u trajtua si mbeturinë, si një objekt. Si mund të justifikohet kjo e gjithë kjo? Osella Ghena është një njeri i rrezikshëm, i cili gënjeu gjatë gjithë gjyqit. Ai nuk ishte një njeri që mund të gjykohej si "i sëmurë" që mbrojtja u përpoq të portretizonte. Ai ishte një njeri që kishte një qëllim specifik: të vriste Arën, nuk ka vend për mëshirë”.
Familjarët që ndoqën gjyqin u shprehën se sot nuk po flitej vetëm për një krim.
“Folëm për dinjitetin, humanizmin dhe drejtësinë, tema të cilat, si kurrë më parë, kishin përparësi ndaj çdo konsiderate tjetër”, thanë ata.
Trupi i pajetë i biznesmenit u gjet pranë makinës së tij, buzë një rruge të ngushtë jo shumë larg kompanisë, të cilën e kishte në pronësi të tij në shtator të vitit 2022 teksa në atë kohë u raportua se trupi edhe ishte keqtrajtuar.
43 vjeçari rezultonte i zhdukur prej 2 shtatorit të të njëjtit vit. Fatmir Ara në vitin 2018 ishte arrestuar nga Policia torineze për shkak se ish- bashkëshortja e kishte denoncuar për dhunë në familje. Mediat vendase shkruanin se ajo e kishte denoncuar për dhunë dhe armëmbajtje. Gjyqi tregoi sipas përfaqësuesve ligjor të familjes së viktimës se vrasja e Arës nuk kishte lidhje me këtë precedent, por me rrethanat mbi të cilat u paraqit pretenca e Prokurorisë. /ZËRI