TIRANË-Reni Ashiku administrator i Converse Management Consulting (CMC) është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku pritet t'i komunikohet akuza në lidhje me hetimet për dyshime abuzimi me fondet IPARD. Raportohet se SPAK është drejt mbylljes së hetimeve për dosjen e IPARD-it dhe ka nisur thirrjen e personave nën hetim për komunikimin e akuzës.
Hetimi i Olaf për shpërndarjen e fondeve të IPARD gjeti se Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural AZHBR kishte abuzuar dhe keqmenaxhuar mbi 33 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së.
Reni Ashiku krijoi në vitin 2018 kompaninë e konsulencës në fushën e agrobiznesit të titulluar Converse Management Consulting, e cila rezulton edhe në QKB me një capital themeltar PREJ 100 000 00 milion lekësh. Kjo kompani ka qenë e përfshirë në projekte të IPARD. Reni Ashiku zotëron 51% të aksioneve në këtë kompani, ndërsa Besarta Dika 49% të aksioneve. Dika ka pasur lidhje të ngushta me politikën, pasi ka kandiduar për deputete nga partia G99 dhe ka lidhje biznesi me ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës.
Kjo kompani nga viti i themelimit deri në vitin 2021 ka arkëtuar gati 1 milionë euro. Ndërsa pas nisjes së hetimit nga OLAF për shpërndarjen e fondeve të IPARD, kompania pësoi rënie në fitim, duke nxitur dyshime për përfshirje të mundshme në abuzimet me fondet IPARD./ZËRI