
TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur akuzë ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit që ishin në vendin ku ndodhi masakra e Dobraçit që la pas 4 viktima. Sipas AMP-së, efektivët që u ndodhën në vendin e ngjarjes, kanë shpërdoruar detyrën, pasi nuk kanë shoqëruar në Komisariat për ta marrë në personin e tretë që u pa në pamjet filmike dhe që dyshohej se ishte në makinë me viktimat. Kështu që materialet e AMP-së i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës.
Çështja e "personit të tretë" është kthyer në pikë kyçe për zbardhjen e plotë të ngjarjes, pasi i riu që është kapur nga kamerat amatore në vendin e ngjarjes është i shumëkërkuari Ibrahim Lici, vëllai i viktimës, Hamza Lici.
Dje, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë 'në duar' për të hetuar masakrën e Dobraçit pasi Prokuroria e Shkodrës ka dyshime të forta se atentati është porositur, organizuar dhe finalizuar nga një grup kriminal.
Në ngjarjen e ndodhur në 30 tetor, Hamza Lici humbi jetën në timon për shkak të një plumbi që mori në zemër, ndërsa makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës. Në mjet bashkë me Licin ishte dhe Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë gjithashtu në spital disa orë pas ngjarjes për shkak se kishte marrë një plumb në kokë./ZËRI