Qytetërim

Homazhet për Margarita Xhepën/ I jepet lamtumira yllit të kinematografisë shqiptare, i biri: Dëshironte edhe një film!

Të pranishëm janë familjarë të aktores së madhe, kolegë dhe figura të larta politike e kulturore.

F.I
Homazhet për Margarita Xhepën/ I jepet lamtumira yllit të
Margarita Xhepa

TIRANË- Ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa është përcjellë sot për në banesën e fundit. Aktorja e Popullit do të përcillet në varrezat e Sharrës, aty ku edhe do të prehet. Homazhet për aktoren e njohur Margarita Xhepa, e cila ndërroi jetë dje (3 prill 2025) në moshën 91-vjeçare, janë zhvilluar në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku personalitete nga arti, politika, por edhe qytetarë të thjeshtë kanë shkuar për t'i dhënë lamtumirën e fundit. Ngushëllimet e rastit i kanë pritur dy djemtë e aktores, Ndriçim dhe Sokol Xhepa.

Jashtë Teatrit, për mediat e pranishme, kanë folur të gjithë kolegët e aktores, të cilët kanë shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të aktores. Aktori i njohur dhe njëkohësisht djali i aktores së ndjerë Margarita Xhepa, Ndriçim Xhepa është shfaqur i pikëlluar në homazhet duke shtuar se nëna e tij kishte dëshirë të realizonte edhe një film tjetër.

"Mbylli jetën e saj në mënyrë normale ka të dhëna të fundit se problemet e karakterit të lodhshëm, lodhjet dhe mendojnë të vetën. Kishte një natyrë të çuditshme, madje kur binte biseda në momente të shkëputura, kishte vite që thoshte për skenën nuk kam fuqi, por për filmin kishte dëshirë të bënte edhe një. Filmi “Bolero në vilën e pleqve” përkon edhe me fundin e jetës së saj,”- tha ai.

E pranishme në ceremoni ishte edhe Tinka Kurti, e cila me lot në sy ndau me gazetarët shkurtimisht disa fjalë për mikeshën e saj. 

“Unë e kisha vajzë e kisha shoqe dhe e kisha mikeshë. Nuk kemi ç’të bëjmë, unë jam më e madhe se ajo, duhet të hesht se kam dhimbje të madhe shumë, shumë,”-tha Kurti. 

Ndërsa Timo Flloko, i cili ka luajtur disa role me aktoren e ndjerë, shtoi: Ruaj kujtimet më të jashtëzakonshme me të. Do të mbetet e paharruar. Po të shihni në këtë homazh ka një vizitë një ardhje një trysni të njerëzve që duan të vijnë e ta nderojnë. Kam një kujtim të rrallë me të, një skenë të Hamletit me nënën. E kam të filmuar dhe e kam si kujtim të rrallë.

Vetëm një ditë më parë se të ndahej nga jeta aktorja festoi ditën e saj të lindjes. Margarita Xhepa, lindi më 2 prill 1934 dhe është një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar. Gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi. Ajo është nderuar me titujt 'Nderi i Kombit' dhe 'Artiste e Popullit e Shqipërisë'. Aktorja është vlerësuar me çmimin 'Actor Of Europe' në edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit.

Çmimi kryesor për aktrimin më të mirë i takoi një prej aktoreve më të rëndësishme në hapësirën e gjerë të teatrit ballkanik, për rolin e “Zonjës Nënë” në shfaqjen 'Kush e solli Doruntinën', me regji të Laert Vasilit. Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh./ZËRI

Poll

MOS HUMB