FIER- Një i dënuar, 52-vjeçar që vuante dënimin në IEVP Fier ka ndërruar jetë këtë të martë. Sipas burimeve, bëhet fjalë për 52-vjeçarin Artur Doku, banues në Burrel, i cili vuante një dënim për vrasje të kryer në vitin 1997. Në momentin e ndarjes nga jeta, atij i kishin mbetur edhe 9 vite e 5 muaj burg për të vuajtur.
Po sipas burimeve, 52-vjeçari vuante nga probleme kardiake dhe dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Pasi është ndjerë keq brenda ambienteve të burgut, ai u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit, por nuk mundi të mbijetonte.
Trupi i 52-vjeçarit është dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për dokumentimin e plotë të rastit. Ndërkohë, nga të dhënat e para nuk ka dyshime për përfshirje kriminale dhe shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza./ZËRI