TIRANË-Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor kanë hyrë tashmë në fuqi prej 5 gushtit. Ndryshimet dhe masat e reja në Kodin Rrugor u miratuan me 84 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim nga Kuvendi në qershor të këtij viti. Fokusi kryesor janë shoferët e rinj dhe personat që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit.
Por çfarë duhet të keni parasysh me ndryshimet e reja:
Një nga masat më të forta parashikon që shoferëve që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, t’u hiqet patenta përgjithmonë. Rritje të gjobës ka edhe për shpejtësinë në zona të banuara, pranë shkollave, atyre që bëjnë gara me makina apo bëjnë manovra agresive. Nëse deri më tani gjoba ishte 10 deri në 40 mijë lekë, shkon nga 20 deri në 60 mijë lekë. Nëse një shofer kapet 2 herë në një vit me celular në dorë në timon, patenta i pezullohet 3 muaj.
PO ashtu nëse je pa patentë në moshë madhore dhe kapesh nga policia duke qarkulluar me automjet, përveç gjobës, për 1 vit nuk do të mundësh të pajisesh me një të tillë, pra nuk ke të drejtë të shkosh në autoshkollë për t’u bërë shofer.
Ndërkohë për drejtuesit e automjeteve që janë pajisur me leje drejtimi të kategorisë B, brenda dy viteve të fundit nuk u lejohet fare asnjë milligram alkool, ndërsa shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/ orë jashtë qendrave të banuara.
Masat e ashpra për të drejtuesit e rinj (deri në 2 vite nga momenti i marrjes së patentës):
-Drejtimi i makinës pa konsumuar asnjë gramë alkool
-Shpejtësia maksimale 90 km/h në autostradë, 80 në rrugët e tjera jashtë qendrave të banuara
-Nëse brenda 2 vitesh nuk bën shkelje, këto kufizime hiqen
-Nëse bën 2 shkelje brenda vitit gjatë kësaj faze testi, periudha e provës të zgjatet edhe me 1 vit (pra nisin sërish kufizimet)
