Aktualitet

Hetimi për tjetërsimin e pronave nga Xhaçka dhe bashkëshorti i saj! SPAK 'kundër' GJKKO: S'ka prova

Në ankimim prokurori Ols Dado pretendon se Gjykata e Posaçme nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi shtetasi Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre. 

F.I
Hetimi për tjetërsimin e pronave nga Xhaçka dhe
Artan Gaçi, Olta Xhaçka dhe Fredi Beleri

TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për në datën 8 maj 2025 seancën për shqyrtimin e ankimit të SPAK, lidhur me çështjen ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.

Pasi Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK të regjistrojë procedim penal për ish-ministren Olta Xhaçka dhe për bashkëshortin e saj Artan Gaçi, Prokuroria ka ankimuar vendimin në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion. Sipas SPAK, asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiskuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka. 

Prokuroria e Posaçme shprehet se vendimi i GJKKO është i pambështetur në ligj dhe në prova i cënueshëm dhe si i tillë duhet të ndryshohet në tërësinë e tij. Gjithashtu, në ankimim prokurori Ols Dado pretendon se Gjykata e Posaçme nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi shtetasi Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre. 

Në 28 shkurt, GJKKO urdhëroi SPAK të hetojë Artan Gaçin për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave”, “pastrim parash” kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Olta Xhaçka për “shpërdorim detyre”. Vendimi i gjykatës erdhi pas ankimit të bërë nga ish-kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri, i cili kërkoi të hetohej edhe Xhaçka dhe bashkëshorti i saj lidhur me kallëzimin që ai më herët ka depozutuar për Jorgo Goron, i cili mbahet në burg që prej marsit të vitit 2023.

Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Pas kallëzimit të ngritur SPAK ka vendosur nën sekuestro tokën në Dhërmi dhe ka arrestuar ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro. Ai akuzohet për falsifikim të dokumentave dhe shpërdorim detyre.

Në lidhje me këtë çështje, dyshohet se bashkëshorti i Xhaçkës, Gaçi ka ndikuar tek regjistrimi në Kadastrën e Vlorës, pasi rezulton se është bërë pronari me letra i tokës ku do të ndërtohej resorti “Dreamades Luxury Suites” nga kompania e kunatës së Xhaçkës, e cila tashmë pezulloi kompaninë, duke ia blerë pronën Stavri Mëhillit. Pronësina e tokës nuk ka ende një zgjidhje nga drejtësia, ndërsa askush nuk është dënuar ende, pavarësisht akzuave të ngritura ndaj disa zyrtarëve.

Deri më tani është marrë nën akuzë ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, pasi hetimet e SPAK treguan se Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bushin, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Bashkinë e Himarës, përcollën pranë organeve kompetente dokumenta të falsifikuara duke bërë të mundur regjistrimin e një sipërfaqeje prej 5512 m2 tokë bujqësore, në pronësi të shtetit, në favor të subjektit privat, në pronësi të Foto Mëhillit, babai i Stavri Mëhillit.

Pas kësaj procedure, të dy ata kanë vijuar me transaksionet për të regjistruar sipërfaqen e tokës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gaçin. Gjithashtu, kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj u la në masën “detyrim paraqitje”, ndërsa ish juristi Vezir Gjikoka si dhe ish drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të tokës në Bashkinë Himarë në “arrest në shtëpie”. Nga ana tjetër, është shpallur në kërkim edhe Stavri Mëhilli, që dyshohet se ka kryer 2 vepra penale. Opozita nga ana tjetër kërkon që të shqyrtohet vlefshmëria e mandatit të Xhaçkës, duke argumentuar se ajo, nëpërmjet bashkëshortit Artan Gaçi, ka përfituar të mira publike, në kundërshtim me Kushtetutën./ZËRI

Poll

MOS HUMB