Aktualitet

Deputeti Xhelal Mziu dhe nipi i tij dhunojnë zyrtarin, hetimi në SPAK. Murra: Më kapi në fyt pa arsye

Mziu së bashku me nipin e tij, jashtë ambienteve të njësisë pas mitingut kanë goditur me grushte punonjësin e njësisë, Kalosh Murra

F.I
Deputeti Xhelal Mziu dhe nipi i tij dhunojnë zyrtarin, hetimi në SPAK.
Xhelal Mziu

DIBËR-Dhunë pas takimit elektoral të Partisë Demokratike! Deputeti Xhelal Mziu dhe nipi i tij janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm me një nga zyrtarët e Njësisë Administrative Ostren. Mziu së bashku me nipin e tij, jashtë ambienteve të njësisë pas mitingut kanë goditur me grushte punonjësin e njësisë, Kalosh Murra. Ky i fundit mban detyrën e përgjegjesit të ndihmës ekonomike. Ende nuk dihet shkaku i konfliktit mes tyre, ndërsa Policia ka njoftuar se rasti është referuar në SPAK.

Pas ngjarjes, zyrtari pretendon se është dhunuar pa arsye dhe thekson se nuk është i angazhuar në fushatë. Murra shprehet se nuk i njeh personalisht as deputetin dhe as nipin e tij. Ai ka treguar me detaje momentin e sherrit, ku rrëfen se ai ka qenë para punës, ndërsa deputeti ka dalë nga lokali dhe i ka vendosur duart në fyt. Më pas me grusht e ka goditur nipi i tij.

"Kam qenë para punës time (njësisë administrative). Xhelal Mziu bashkë me të tjerë dolën nga lokali, kaluan para zyrave dhe më pas u kthyen mbrapsht. Më kapi direkt për fyti, ndërsa nipi i tij më godoti me grushte. Më gjakosi! Më kanë çuar në spital dhe më kanë qepur në fytyrë. Pas mjekimit kam dalë nga spitali dhe ndodhen në shtëpi me raporte. Shkakun nuk e di, unë isha në punën time. Mund të jetë për fushatë por unë s’jam i sigurt se nuk e njoh personalisht Xhelal Mziu dhe s’kam patur kurrë lidhje me të. Edhe vetë jam i çuditur se pse më qëlluan. Ndoshta e kanë fryrë (shtyrë) persona të tjerë që ishin në takim elektoral me të. Kam bërë kallëzim në polici dhe janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë së institucionit. Pres të zbardhet ngjarja e plotë nga policia dhe prokuroria,"-tha Murra për Report.Tv.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje", për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren./ZËRI

Poll

MOS HUMB