
TIRANË- Luis Meçe, 14-vjeçari i plagosur në sherrin ku mbeti i vrarë shoku i tij Martin Cani, vijon të jetë në spitalin e Traumës në Tiranë, nga ku edhe kërkon ndihmë finaniare për shpenzimet e një operacioni. Në "Gofoundme", e hapur në emër të të riut, janë mbledhur 71 nga 80 mijë euro që nevojiten për operacionit. Në llogarinë e hapur është shpërndarë edhe mesazhi i Luisit, ku shprehet se prindërit e tij nuk kanë mundësi financiare për të përballuar faturat e spitalit, psikologen dhe fizioterapisten.
“Përshëndetje, unë jam Luis Mecja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj për t'u pranuar. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri. Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund të shihni historinë time në Facebook, Instagram dhe në lajme se çfarë më bënë dy personat me thika... një masakër ju lutem,"-thuhet në mesazh.

Por pas publikimit të kësaj llogarie në media, ku kërkohet ndihmë për 14-vjeçarin, një reagim ka ardhur edhe nga spitali Universitar i Traumës. Zyrtarisht nga ana e spitalit pretendohet se i mituri është në gjendje stabël dhe po trajtohet në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme. Madje pretendohet se pranë tij kanë shkuar edhe psikologët. Madje shton se gjendja e tij, si psikologjike, ashtu edhe fizike, është përmirësuar ndjeshëm.
"Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”: Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme. Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm. Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës. Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët,"-shkruhet në reagimin e Traumës.
Luis Meçe, 14-vjeçari, mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë ku humbi jetën Martin Cani. Sipas rrëfimit që i mituri ka bërë në media, tregon se ishte goditur 6 herë më thikë, por ka marrë vetëm 4 plagë në trup. Ndërsa babai i të miturit, Fiqiri Meçe është shprehur se të birit i është paralizuar krahu i majtë. Por edhe është ankuar se shteti nuk u ka ofruar as fizioterapistë dhe asnjë psikolog./ZËRI