
TIRANË- Një nga 10 personat më të kërkuar në Gjermani është arrestuar në Shqipëri nga Europol. Bëhet fjalë për 57-vjeçarin Nihat Oezbek me origjinë nga Turqia, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. 57-vjeçari akuzohet se drejtonte një trafik drogë që shtrihej nga Evropa Perëndimore deri në Iran. Operacioni u udhëhoq nga autoritetet gjermane në bashkëpunim me ato holandeze dhe Oezbek u arrestua më 23 nëntor në Shqipëri, ndërsa Europol ushtroi kontrolle në disa nga rezidencat e tij dhe të dashurës së turkut në Roterdam në Holandë.
Ai dyshohet se drejtonte rrjetin kriminal që ishte përgjegjës për importin e heroinës në Evropën Perëndimore. Gjatë një operacioni të kryer nga autoritetet gjermane, ato sekuestruan 703 kilogramë heroinë në portin e Hamburgut, e cila ishte fshehur në një ngarkesë me kontejnerë sapuni me origjinë nga Irani.
I arrestuari është në pritje të ekstradimit në Gjermani, ndërsa Europol ka nisur hetimet për kapjen e personave të tjerrë që dyshoihet se janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. /ZËRI