
GREQI-Autoritetet greke kanë çmontuar një grup kriminal që përfshiheshin në gjobëvënie ndaj bizneseve në Athinë. Mediat greke bëjnë të ditur se në pranga janë vënë pesë persona, mes tyre tre shqiptarë, njëri prej tyre pjesë e grupit famëkeq “Lions”. Pesë të arrestuarit akuzohen për organizim kriminal, tentativë gjobvënieje, dhunë ndaj zyrtarëve dhe personelit gjyqësor si dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Të arrestuar janë Ukshim Hoti, 41 vjec nga Tirana, Roland Kadiu, 43 vjec nga Klosi, Nexhmi Murataj, 42 vjec nga Kota e Selenicës si dhe një 34-vjecar grek e një 38-vjecar egjiptian.
Nga kontrollet e kryera në banesa, janë gjetur dhe sekuestruar 2 makina dhe motoçikleta, si mjete për lehtësimin e veprimtarive të paligjshme, 5 thika të palosshme, 2 këllëfa, pistoletë, jelek luftarak, jelek antiplumb, kapele, maskë, doreza, shënime të shkruara me dorë, me adresa, emra dhe shuma numerike, 8 celularë dhe 6.900 euro. Sipas hetimeve të pandehurit u kanë zhvatur shuma parash 4 pronarëve të dyqaneve në Athinë.
Nexhmi Murataj rezulton pjesë e grupit kriminal “LIONS” në Athinë. Grupi kriminal shqiptar “LIONS” me qendër në Athinë, prej disa kohësh është kthyer në epiqendër të dhjetëra krimeve të ndodhura në shtetin fqinj, duke lënë pas edhe persona të vrarë. Grupi kriminal i përbërë nga shtetas shqiptarë, të cilët operojnë rreth klubit të njohur “Bellavita” në kryeqytetin grek, dyshohet se ka lidhje me njerëz të fuqishëm të botës së krimit brenda burgjeve greke, të akuzuar madje deri edhe për trafik kokaine nga Amerika Latine.
Murataj konkretisht rezulton se është akuzuar edhe për ngjarjen e 21 shkurtit 2023 në Nea Ionia në Athinë, ku nga të shtënat me armë zjarri, mbeti i vrarë 40-vjecari nga Delvina, Pëllumb Islami. Nuk dihet se si Murataj dhe disa anëtarë të tjerë të “LIONS” të akuzuar për këtë vrasje, kanë përfituar lirinë./ZËRI