Aktualitet

Gjyqtarja Irena Gjoka jep dorëheqjen nga dosja "Toyota Auris"

Tashmë, për këtë çështje, shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Erjon Çela.

k.m.
Gjyqtarja Irena Gjoka jep dorëheqjen nga dosja "Toyota Auris"
Irena Gjoka

TIRANË- Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i dosjes "Toyota Auris", për të cilën është marrë i pandehur ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka. Bashkë me këtë të fundit, të pandehur janë marrë edhe ish-oficerja gjyqësore, Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi. Tashmë, për këtë çështje, shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Erjon Çela.

"Kjo kërkesë për dorëheqje i është pranuar nga Zëvendës Kryetari i Gjykatës. Sipas shortit elektronik të datës 21.01.2025 kjo dosje i ka rënë gjyqtarit Erjon Çela,"-ka bërë me dije GJKKO.

Gjyqtarja ka vlerësuar se është në konflikt interesi dhe se mund të jetë dhe dëshmitare në proces, ndaj edhe ka vendosur që të tërhiqet nga çështja. Kjo pasi ka qenë pjesë e trupës që ka shqyrtuar më herët çështjen e sekuestrimit të pasurive të Suel Çelës dhe që rezulton se kjo çështje është një nga akuzat që rëndon ndaj të pandehurve. Po ashtu në dosje, pretendohet se të pandehurit kanë diskutuar për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë për paratë që u kapën në portin e Durrësit. 

Për dosjen e “Toyota Yaris”, të pandehur janë marrë ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, Eriona Daupaj, e cila ndodhet në kërkim, avokati Radovan Çela, si dhe Astrit Vladi. Të pandehurit akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve dhe lehtësuar të akuzuarit e dosjes së parë, të grupit që po kontrabandonte nëpërmjet linjës Angli-Belgjikë-Gjermani-Shqipëri rreth 3,4 mln euro cash, para që erdhën të futura në thasë e të fshehur në makina “Toyota Yaris”, që importoheshin dhe shiteshin në vendin tonë. Astrit Vladi akuzohet si personi që ka përfituar nga këto ndikime, i cili gjithashtu është marrë i pandehur për dosjen e 3,4 mln eurove bashkë me kushëririn e tij, Elvis Vladi.

Në 19 Tetor 2021 Elvis Vladi është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit e 6 muaj burgim për akuzën e “Mosdeklarim të ardhurash në kufi”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 1 vit burg, ndërkohë në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Ceka për “armëmbajtje pa leje” me 2 vjet 4 muaj. Kurse akuzat për Alfred Vladi, Alban Mollaymeri, Eduart Cani dhe djali i tij, Klevi Cani, u pushuan nga gjyqtarja e Tiranës, Migena Laska./ZËRI

Poll

MOS HUMB