
MEMALIAJ-Dyshime të reja janë ngritur në lidhje me masakrë e Memaliajt, ku humbën jetën, Shyqyri Kalemi, Gledian Muka dhe Marsel Çela. Muka dhe Çela ishin në ambientet e lokalit njëri si kamarier, tjetri klient, por plumabt nuk i kursyen. Babai i 36-vjeçarit Gledian Muka, Hamza Muka beson se policia nuk e ka bërë si duhet punën e saj.
Sipas tij në dëshminë e siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”, segmente të Policisë mund të jenë edhe të përfshirë në këtë ngjarje dhe këtë e lidh me faktin se si është e mundur që në një qytet të vogël si Memaliaj, autorët të veprojnë kaq lirisht dhe të mos pikasen në asnjë veprim të tyrin, çka të lë të hamendësosh për një ndërveprim të tyre me njerëz të brendshëm në qytet.
“Unë ngjarjen e kam mësuar nga një komshi, i cili më telefonoi në orën 23.28 minuta. duke më thënë se të kërkojnë pranë Bashkisë Memaliaj. Në momentin që unë kam dalë dhe kam shkuar te vendi i ngjarjes, unë kam parë kapelen e djalit tim të rrëzuar në tokë. Duke u afruar pashë një masakër të paparë, që nuk e kam parë kurrë në jetën time. Kur unë kam shkuar në vendin e ngjarjes, arrita me telefonin tim të filmoja të ndjerin djalin tim i cili ishte rrëzuar përtokë. Të tjerët nuk munda t’i dalloj për momentin, për arsye se ishin në një errësirë, ku nuk kishte shumë dritë. Unë duke qenë se jam punonjës bashkie në Memaliaj, di të them se atë ditë nuk ka pasur korent deri në orën 15.50. Atë ditë aty ka qenë një roje i ri i cili kishte zëvendësuar rojen që ishte stabël, icili i ka fikur të gjitha kamerat e bashkisë, që kanë dalë jashtë loje. Por e bërë jo qëllimisht. Për sa i përket kamerave të tjera, autorët mesa kam parë kanë kaluar përpara policisë. Për mua si familje, unë besoj që policia nuk e ka bërë punën e saj si duhet, për zbardhjen e kësaj çështje Këtë e them sepse në një qytet të vogël si Memaliaj, të vish kaq kollaj, është e vështirë nga jashtë”, tha ai.
Babai i tij tregon se ai u detyrua të kthehej në qytetin e lindjes në Memaliaj, për shkak të mungesës së letrave në emigracion. Hera e fundit ishte në Belgjikë, aty ku kishte qëndruar për disa muaj pranë motrës së tij. Për këtë arsye ai kishte zgjedhur, të provonte edhe llotarinë amerikane si shumë shqiptarë të tjerë në kërkim të tokës së premtuar, por ndërkohë për të mos mbetur pa punë gjatë kohës së qëndrimit në Memaliaj, kishte pranuar ofertën për të punuar pranë lokalit të familjes Kalemi, që ishte në pronësi të njërit prej djemve të kësaj familje, me të cilin kishte përfunduar edhe arsimin e mesëm. Aty ku edhe punoi si kamarier dhe banakier, deri ditën që plumbat me shumë gjasa të drejtuar ndaj të zotëve të lokalit, nuk kursyen as atë vetë, si edhe atë ditë kur Glediani doli nga shtëpia si zakonisht për t’u drejtuar në lokalin ku punonte.
36-vjeçari Gledian Muka dhe 47-vjeçari Marsel Çela u ndodhën në vendin e gabuar, pasi nuk kishin asnjë lidhje me atentatin që shënjestër kishte biznesmenin Shqyo Kalemi. Vrasja e trefishtë, që u mori jetën dhe dy personave të pafajshëm dhe që nuk ishin objektiv, dyshohet se vjen si pjesë e sagës së hakmarrjes ndaj Andrea Kalemit, djalit të viktimës Shyqyri Kalemi. Ai është i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022, që më parë gjatë 2022 dyshohet se kishte eliminuar me eksploziv Aleksandër Sadikajn. Ky i fundit është i afërm me familjen Kalemi.
Policia ka arritur që përmes kamerave të sigurisë të zbardhë të paktën itinerarin e lëvizjes së automjetit që kanë përdorur autorët. Gjithashtu në makinën e djegur janë gjetur armë zjarri që dyshohet se janë përdorur prej tyre. Dyshimet janë se krimi është realizuar nga vrasës me pagesë, edhe pse hetimet vijojnë për të zbardhur ngjarjen e rëndë./ZËRI