TIRANË-Bashkim Rajku, babai i Noizy-t dhe motra e tij janë paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme në procesin ndaj ish-kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu. Në procesin ndaj Laert Haxhiut, ata janë thirrur si dëshmitarë.
Noizy dhe babai i tij janë në mesin e 60 dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Haxhiut, i cili po gjykohet si kreu i një grupi kriminal për 14 krime të rënda, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë. Në seancën e 6 majit e cila u shty për shkak të mungesës së dy avokatëve, ishte i pranishëm edhe Noizy.
Më herët, reperi është thirrur si viktimë e veprës penale, pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e lokalit dhe dyqanit të tij në Durrës. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2022, ku biznesit të reperit iu vendos lëndë plasëse. Nga hetimet rezultoi se tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut, pas sherrit që Noizy kishte pasur me reperin tjetër, Kleviol Ahmeti, të njohur me pseudonimin "Cllevio".
"Në datë 08.06.2022, në dyqanin e shtetasit Bashkim Rajku, në qytetin e Durrësit, me autorë të dyshuar: - Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë; - Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë; - Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë; - Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë.", njoftonte policisë asokohe pas ngjarjes. /ZËRI