TIRANË- Sot u zhvillua seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, i cili po gjykohet veçmas për 14 vepra të rënda penale, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë. Mësohet se vetë Haxhiu, që mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, nuk u paraqit vetë fizikisht në seancë.
Burime bëjnë me dije se gjatë seancës, mbrojtja e të pandehurit kërkoi thirrjen e rreth 60 dëshmitarëve, duke argumentuar se dëshmitë e tyre janë të nevojshme për sqarimin e rrethanave të çështjes, mes tyre edhe emra të njohur. Konkretisht, avokatët e tij kërkuan të thirret si dëshmitar Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur ( për episodin e tritolit në biznesin e këngëtarit në Durrës), dhe Kleviol Ahmetaj, reperi i njohur si “Cllevio”, i ekstraduar pak muaj më parë nga Dubai.
SHERRI NISI NË TIK TOK, DEGRADOI NË JETËN REALE
Konflikti mes reperit Noizy dhe Kleviol Ahmetaj, i njohur si Cllevio Serbiano nisi në rrjetet sociale për t'u "zhvendosur" më pas edhe në jetën reale. Fillimisht ishte reperi nga Lushnja që ofendonte Noizy-n në rrjetet sociale. Por situata degradoi kur Ahmeti, edhe pse në masën e sigurisë "arrest shtëpie", shkoi tek lokali i Noizy-t në Durrës, ku edhe u qëllua me grusht nga reperi. Sërish i riu nga Lushnja përfundoi në burg për shkelje të masës së sigurisë. Me daljen nga burgu, nisi sërish kërcënimet dhe ofendimet në rrjetin social "TikTok", e përgjatë një viti, bizneset e reperit Noizy (makina Ferrari, lokali dhe dyqani i rrobave) janë shkrumbuar disa herë. Për djegien e Ferrarit me vlerë 300 mijë euro, autori i ngjarjes, Siar Konti nga Vlora, është arrestuar dhe gjatë deklaratës së tij, ai ka zbuluar se pas ngjarjes fshihet reperi, Cllevio Serbiano. Nga ana tjetër, Kleviol Ahmetaj, ka deklaruar për policinë se nuk ka asnjë lidhje. Por mesa duket, Konti nuk ka qenë i vetmi person që ka porositur për të dëmtuar edhe kundërshtarin e tij, pasi mesa duket për ndihmë është drejtuar edhe tek shoku i ngushtë i fëmijërisë./ZËRI