Aktualitet

Gjykata Kushtetuese pro Qynos, gazetari fiton betejën me SPAK

Sipas vendimit unanim të Kushtetutes, bie sekuestrimi i mjeteve të punës ndaj gazetarit, sepse gjykata vlerëson se nuk ishte kjo mënyra për të zbuluar burimet e gazetarit.

I.F
Gjykata Kushtetuese pro Qynos, gazetari fiton betejën me SPAK
Elton Qyno pas shpalljes së vendimit nga Kushtetuesja

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot në favor të gazetarit Elton Qyno për ankimimin e tij, për vendimet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Qyno, kundërshtoi vendimin për sekuestrimin e pajisjeve elektronike në pronësi të tij, kontrollin në shtëpi dhe kontrollin personal pasi Prokuroria e Posaçme nisi një hetim ndaj tij për nxjerrje të sekretit hetimor.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se ndërhyrja në të dhënat kompjuterike të gazetarit përbën një ndërhyrje disproporcionale në të drejtën kushtetuese të shprehjes, e garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

"Për sa i takon themelit të çështjes, Gjykata u ndal në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ-së. Lidhur me këtë pretendim, Gjykata arriti në përfundimin se liria e shprehjes përfshin, ndër të tjera, edhe lirinë e shtypit. E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë. E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut”, thuhet në vendim.

Po ashtu, në vendim thuhet se urdhri dhe detyrimi i gazetarit për të treguar burimet e tij të informacionit është me natyrë antikushtetuese dhe shkelje e të drejtave që i garantohen nga ligji, duke e quajtur sekuestrimin e sendeve personale të paligjshëm. Por, përsa i përket kontrollit, ende nuk ka një vendim, pasi nuk është bërë ende një objekt shqyrtimi. 

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Sot në datën 22.04.2025, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Elton Qyno me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike.

Gjykata pasi analizoi kriteret paraprake të kërkesës arriti në përfundimin se kërkuesi legjitimohet dhe ka shteruar mjetet juridike në dispozicion vetëm për kundërshtimin e vendimit që ka lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike i cili është kundërshtuar nga kërkuesi deri në Gjykatën e Lartë. Sa i takon lirisë personale, Gjykata konstatoi se ky pretendim nuk ka lidhje me vendimet për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Në lidhje me pretendimet e tjera, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike në dispozicion.

Për sa i takon themelit të çështjes, Gjykata u ndal në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ-së. Lidhur me këtë pretendim, Gjykata arriti në përfundimin se liria e shprehjes përfshin, ndër të tjera, edhe lirinë e shtypit. E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias. Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë. E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut.

Gjykata arriti në përfundimin se vendimet gjyqësore të cilat kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit. Për sa i përket kritereve të kufizimit, Gjykata duke zbatuar testin e nenit 17 të Kushtetutës, vlerësoi se ndërhyrja është bërë me ligj dhe për një interes publik. Megjithatë në kuadër edhe të standardeve të vendosura nga GJEDNJ-ja, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes nuk është proporcionale. Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi gjithashtu se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim. Po në këtë drejtim, gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit. Për këto arsye, Gjykata vendosi, njëzëri, shfuqizimin e vendimeve për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike (vendimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë nr. 501, datë 13.12.2023 dhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi atë).

Po kështu, Gjykata vendosi edhe pranimin e kërkesës për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara. Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për jetë private Gjykata vlerësoi të mos ndalej, për sa kohë ajo gjeti shkelje në lirinë e shprehjes së kërkuesit, duke shfuqizuar vendimet e mësipërme.

Rasti i gazetarit Elton Qyno

Gazetari Elton Qyno u mbajt për rreth 11 orë në ambientet e SPAK në 14 dhjetor, dhe me një urdhër nga GJKKO iu sekuestruan dy telefonat dhe iu kontrollua banesa. Gjatë marrjes në pyetje, gazetarit iu kërkua të tregonte burimin e informacioneve, të cilat i kishte publikuar në media lidhur me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin. Sipas SPAK, materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore. Ndaj gazetarit po zhvillohen hetime për 2 vepra penale si “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete" dhe “Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin”. Në mbrojtjen e tij gazetari Elton Qyno kërkoi asgjesimin e të gjitha materialeve që SPAK ka mundur të aksesojë nga telefonat dhe kompjuterat e tij. Në padinë e ngritur, Qyno kërkoi shfuqëzimin e vendimmarrjeve që sollën këto vendime të SPAK, duke i konsideruar ato se shkelnin liritë dhe të drejtat e njeriut./ZËRI

Poll

MOS HUMB