
TIRANË- Në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca e radhës gjyqësore për ankimimin e gazetarit Elton Qyno, kundër vendimit për sekuestrimin e pajisjeve elektronike. Pasi, Kushtetuesja ka dëgjuar avokatin e gazetarit, Dorian Matlian dhe prokurorin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Bledar Maksutin janë tërhequr për vendim. Avokati i gazetarit, u shpreh se Qyno ankohet, pasi po i cënohet konfidencialiteti i burimeve nga veprimet e sekuestrimit pa kriter nga ana e SPAK. Mbrojtja e Qynos, shtoi se kjo çështje prek edhe lirinë e gazetarit.
"Çështja prek disa të drejta, si liria e gazetarit. Nuk po ankohet Elton Qyno se po i ndalohet të bëjë shkrimë. Po ankohet se po i cenohet konfidencialiteti i burimeve nga veprimet të sekuestrimit pa kriter të materialeve digjitale. Ka tre mundësi si Elton Qyno mund të ketë marrë metariale nga dosja hetimore e SPAK. Mund të ketë hyrë natën në ndërtesë dhe ti ketë marrë. Mund të ketë hyrë përmes hakërimit dhe të ketë marrë dokument elektronik ose mund ti ketë marrë nga diskush që punon aty brenda me dosjen. Dy të para nuk janë ngritur si pretendime nga SPAK. I vetmi opsion ngelet që dikush brenda ka nxjerrë informacionin. Është e pamundur që në 24 orë, SPAK të ketë bërë verifikimet ndaj tre prokurorëve para se të bëjë sekuestrimet. Kjo nuk ka ndodhur as në 15 muajt në vazhdim", u shpreh avokati.
Më tej, Matlia shtoi se gjatë kontrolleve të SPAK, në banesën e Qynon u terrorizua familja dhe fëmijët e tij. Ai shtoi, se SPAK ka shkelur procesin ligjor, duke shkuar direkt tek sekuetsrimi i sendeve. Avokati u shpreh se po rrezikohen burimet konfidenciale të gazetarëve pa të cilat nuk mund të ketë gazetari cilësore.
"Janë terrorizuar fëmijët dhe është bërë një hata për të treguar se çfarë ndodh kur merresh me SPAK. Në rastin konkret nuk po flitet për të drejtën e tij për të shkruar. Po bëhet fjalë për të drejtën e tij për të mos treguar. Kemi të bëjmë me shkelje të rregullt të procesit ligjor. SPAK ka shkuar direkt te sekuestrimi. Në këtë pikë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Kjo është si loja "Mafia", të gjejmë se kush nga në është mafiozi. Institucioni shtetëror heton mekanizmat dhe jo hajde shkojmë të gazetari të na tregojë. Të gjitha këto janë shkelje. Janë në rrezik burimet konfidenciale të tyre pa të cilat nuk mund të ketë gazetari cilësore", tha Matlia.
Ndërsa, në seancën e zhvilluar një ditë më parë, prokurori i SPAK gjatë seancës ka deklaruar para trupit gjykues se gazetarët, para se të publikojnë një material me natyrë sekrete, marrin leje në SPAK nëse duhet t’a botojnë ose jo materialin.
“Në këtë rast kemi të bëjmë dhe me një anë subjektive të vetë gazetarit. Duke qenë se është gazetar i vjetër kronike, ka pasur të gjitha eksperiencat dhe informacionin e duhur për të dëshmuar çfarë lloji informacioni dispononte. Ka pasur edhe raste të tjera, kur gazetarë të të njëjtit nivel të hetimit kanë pasur në dorë informacione të tilla dhe kanë ardhur na kanë kontaktuar, ky inforamcion është i vërtetë dhe a mundem ta publikoj ju prish punë apo jo”, ka thënë Maskuti.
Gazetari Elton Qyno u mbajt për rreth 11 orë në ambientet e SPAK në 14 dhjetor, dhe me një urdhër nga GJKKO iu sekuestruan dy telefonat dhe iu kontrollua banesa. Gjatë marrjes në pyetje, gazetarit iu kërkua të tregonte burimin e informacioneve, të cilat i kishte publikuar në media lidhur me të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin. Sipas SPAK, materialet e publikuara në media, përputheshin me komunikimet e Nuredin Dumanit me persona të tjerë në aplikacionin “Sky” dhe për këtë arsye, Elton Qynos i është kërkuar të tregonte sesi i kishte siguruar materiale të tilla që ishin pjesë e akteve hetimore. Ndaj gazetarit po zhvillohen hetime për 2 vepra penale si “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete" dhe “Ndalimi i dhënies dhe i shpalljes së të dhënave në kundërshtim me ligjin”. Në mbrojtjen e tij gazetari Elton Qyno kërkoi asgjesimin e të gjitha materialeve që SPAK ka mundur të aksesojë nga telefonat dhe kompjuterat e tij./ZËRI