
TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur nën hetim spitalin Amerikan, "American Hospital SHA"! Në njoftimin e bërë me dije nga Autoriteti i Konkurrencës, bëhet me dije se hetimet kanë nisur për të monitoruar tregun e shërbimit spitalor. Nga hetimi paraprak është konstatuar se ky spital ka shërbime të caktuara dhe ekskluzive, në shkelje me nenin 8 të ligjit 9121, për mbrojtjen e Konkurrencës.
LIGJI 9121
Neni nr.8
Vlerësimi i pozitës dominuese
Pozita dominuese e një ose më shumë ndërmarrjeve vlerësohet, duke marrë parasysh, veçanërisht: a) pjesën e tregut përkatës të ndërmarrjes ose ndërmarrjeve në shqyrtim dhe të konkurrentëve të tjerë; b) pengesat në hyrje në tregun përkatës; c) konkurrencën potenciale; ç) fuqinë ekonomike dhe financiare të ndërmarrjeve; d) varësinë ekonomike të furnizuesve dhe blerësve; dh) fuqinë kundërvepruese të blerësve; e) zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së ndërmarrjeve dhe mundësitë e shfrytëzimit të burimeve të produkteve; ë) lidhjet ekonomike me ndërmarrjet e tjera; f) karakteristika të tjera të tregut përkatës si: homogjenitetin e produkteve, transparencën e tregut, uniformitetin e kostos dhe të madhësisë së ndërmarrjeve, qëndrueshmërinë e kërkesës ose të kapaciteteve të lira prodhuese.
Ndaj hetimi më i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024. Ndërkohë që hetimet kanë nisur, spitali nuk ka dalë me asnjë deklaratë publike.
NJOFTIMI I AUTORITETIT TË KONKURRENCËS:
“Autoriteti i Konkurrencës vendos nën hetim parapak American Hospital SHA dhe International Hospital SHA në tregun e shërbimit spitalor”
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 09.04.2025, mori në shqyrtim raportin e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor.
Në kuadër të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës realizoi procedurën e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor. Gjatë procedurës së monitorimit, është konstatuar pozita dominuese e ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA (shoqëri e bashkuar me përthithje nga American Hospital SHA), në kuptim të nenit 8 të Ligjit nr. 9121/2003. Gjithashtu, nga të dhëna paraprake, është konstatuar se në lidhje me disa shërbime të caktuara dhe ekskluzive këto ndërmarrje mund të jenë objekt vlerësimi sipas nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1173, datë 09.04.2025, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA në tregun e shërbimit spitalor. Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.
Në shkurt të këtij viti, pronari i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu u paraqit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Allajbeu qëndroi për rreth 2 orë, por ende nuk dihen detaje se për çfarë është marrë në pyetje. Po ashtu, Allajbeu është nën hetim edhe në Kosovë për pastrim parash dhe falsifikim dokumentash./ZËRI